Tash e ca ditë, Veriu i Kosovës po vazhdon të qëndrojë në gjendje krize, që nga vendimi për targat i Qeverisë së Kosovës, shkruan portali Rajoni.org.
Kjo e ka shtyrë edhe kryetarin dhe nënkryetarin e komunës së dytë më të afërt me Veriun, Skënderajn, që të ndërmarrin veprim.
Ata sot kanë vizituar Stacionin Policor në Skënderaj, për t’u informuar rreth gjendjes së përgjithshme brenda territorit të komunës së Skënderajt. Me të tjera fjalë, kryesia e komunës u paraqiten të shqetësuar rreth dy fshatrave në pozitë të skajshme gjeografike në Skënderaj, Baja dhe Syrigana.
Sipas komandantit Kajtazit dhe stafit policor, situata njëherë për njëherë është vlerësuar e qetë.
Postimi i plotë informues i komunës:
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku, kanë vizituar sot Stacionin Policor në Skenderaj, ku janë pritur nga komandanti Muhamet Kajtazi dhe stafi i tij policor.
Në takim është diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë brenda territorit të komunës përfshirë fshatrat Bajë e Syriganë, e cila u vlerësua e mirë dhe e qetë.
Kryetari Nura ka ripërsëritur gatishmërinë për të ofruar në çdo kohë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, në të mirë të interesit të qytetarëve dhe në funksion të sigurisë publike.
Takimi i sotëm vjen si rezultat i zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, ku përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga përgjegjësia institucionale dhe organet shtetërore, në shenjë pakënaqësie për mosrealizimin e kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës.