Sot paradite kanë nisur punimet e katër projekteve kapitale në fshatra të ndryshme të Skenderajt, shkruan portali rajoni.org.
Kryetari i Komunës, Fadil Nura, bashkë me drejtorët për Urbanizëm dhe Shërbime Publike, respektivisht Driton Mulaj e Alban Shala, kanë qenë të pranishëm gjatë realizimit të punimeve në kuadër të këtyre projekteve.
Kështu, në Kozhicë ka filluar asfaltimi i rrugëve të fshatit, në kuadër të angazhimeve të Qeverisjes Nura, për të kompletuar infrastrukturën rrugore në fshatrat e komunës.
Edhe në Polac kanë nisur punimet për ndërtimin e trotuarit në rrugën që lidhë Skenderajn me Vushtrrinë, duke krijuar kështu kushte për këmbësorët që udhëtojnë në këtë pjesë, sidomos nxënësit e fshatit.
Ndërkaq në qytet, përkatësisht në rrugën “17 Shkurti”, ka nisur faza e dytë e mbjelljes së drunjve dekorativ, si angazhim i Qeverisjes Nura, për hapësira të gjelbëruara në zonën urbane të Skenderajt.
Kurse në lagjen Spahiu të Llaushës është punuar në pastrimin e shtratit të Lumit “Klina” në drejtim të fshatit Llaushë, pas përfundimit të procedurave të prokurimit, që i kanë hapur rrugë projektit për mirëmbajtje dhe pastrim të lumenjve.