Zënkat e familjes së gruas me dhëndrin dhe anasjelltas janë mjaft të shpeshta në familjet kosovare. Konfliktet verbale mes tyre eskalojnë edhe në përleshje e kërcënime, për çka duhet intervenimi i Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Gjakovë, ku janë përfshirë dy familje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se në një konflikt janë përfshirë një 64-vjeçar dhe dhëndri i tij, i cili po dyshohet se e ka kërcënuar përmes baxhanakut (dhëndrit tjetër të 64-vjeçarit), pas një mosmarrëveshje.
Rastit po dyshohet se i ka paraprirë një mosmarrëveshje që i dyshuari F.G., ka pasur me bashkëshorten e tij (vajzën e viktimës) dhe për pasojë e ka kanosur më pas vjehrrin e tij.
Përballë kësaj situate, i frikësuar dhe i shqetësuar nga kërcënimet që mori, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar personin e dyshuar, i cili pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.