Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e bizneseve të ndryshme, që përveç pasigurisë, po shkaktojnë edhe humbje të mëdha. Një rast i tillë është denoncuar edhe sot në Polici, që dyshohet të ketë ndodhur në Korroticë të Epërme të Drenasit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë hajnat kishin cak një punishte, ku kanë vjedhur pajisje të ndryshme të punës që kapin vlerën e rreth 40 mijë eurove. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në tri ditët e fundit, pasi gjatë kësaj periudhe pronari nuk kishte qenë aty.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që viktima ka përshkruar në detaje se si e gjeti punishten kur shkoi mëngjesin e sotëm.
Sinjali mëson se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.