Komuna e Skënderajt ka shpallur rezultatet e konkursit për një mësimdhënës të gjuhës gjermane në një varg shkollash të Skënderajt, shkruan portali rajoni.org.
Por, në konkursin fitues figuron personi B. B. (emër i njohur për redaksinë) e cila e ka diplomën e gjuhës angleze.
Për këtë vaki skandaloze Rajoni ka kontaktuar zëdhënësin e komunës, Amir Lushtakun, i cili ka thënë se personin në fjalë e kanë punësuar në mungesë të atij kompetent.
“Konkursi në fjalë ka qenë i rishpallur pasi që herën e parë ka dështu, për shkak të mungesës së kandidatëve me kualifikimin e duhur. Dhe duke u bazuar në ligj ajo ka fituar si kandidatja më e përafërt sa i përket kualifikimit” – ka thënë Amir Lushtaku nëpërmjet telefonit për portalin rajoni.org.
Të gjithë e dimë që këto dy gjuhë janë shumë larg me njëra tjetrën sikur nata me ditën. Si i kanë parë të përafërt mësimdhënësit e këtyre dy gjuhëve komisioni vlerësues në komunën e Skënderajt nuk dihet. A thua si do ta mësojnë nxënësit gjermanishten nga mësimdhënësi i anglishtes në këto shkolla të Skënderajt?
*Rajoni ka vendosur që të mos i publikojë emrat, faktet dhe fotot për hirë të sensitivitetit të rastit*