Pas një debati të ashpër mes deputetëve të pozitës e opozitës, në Kuvendin e Kosovës, të enjten, u arrit të votohet themelimi i dy Komisioneve Hetimore Parlamentare për Energjinë. Por a mund të ofrojnë zgjidhje për këto cështje, formimi i këtyre dy komisioneve parlamentare. Flasin ekspertët?
Eksperti për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu, dikur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se komisionet parlamentare hetimore, nuk mund t’i zgjidhin problemet në sektorin e energjisë në Kosovë.
Madje, sipas tij, nga themelimi i këtyre komisioneve hetimore parlamentare më tepër përfitime do të kenë anëtarët e komisioneve për mëditje, sesa që do të ofrojnë ndonjë zgjidhje për qytetarët.
Në anën tjetër ish-ministri në Ministria e Tregtisë dhe industrisë, Ismet Mulaj thotë se çdo komision që ka për qellim të zbardhjes të një dyshimi nga çdo faktor politik është me shumë interes për publikun, sepse siç thotë ai, zhvillohet demokracia mbikëqyrëse parlamentare si dhe hiqen dilemat e përfoljeve të mëdha në sektorin e energjisë elektrike.
“Ajo çka dëshiroj është që komisionet hetimore të jenë në funksion të interesit të çështjeve që trajtojnë dhe mos të shndërrohen në arenë debatesh politike shterpe”, tha Mulaj për Rtklive.
Sipas tij, sektori i energjisë në Kosovë është njëri ndër sektorët më të përfolur për korrupsion dhe keqmenaxhim si dhe mos investim të duhur duke u shërbyer grupeve të interesit nga rajoni sidomos nga Serbia.
“Një hetim i mirëfilltë do të kontribuonte shumë në zbardhjen e së vërtetës, sidomos rasti i privatizimit të KEDS dhe operimi në treg dhe dyshimet për keqpërdorime. Aty ku duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe është edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë si institucion që e ka rregulluar tregun. Por edhe akterët tjerë, duke përfshirë edhe investimet në KEK”, tha Mulaj për rtklive.
Eksperti për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës më shumë merren me të kaluarën se sa me të ardhmen e vendit.
“E përcolla kuvendin më këto komisione të themeluara. Definitivisht mungon një fleksibilitet mungon një debat konstruktiv, shumë më tepër është debat i inateve dhe tekeve të partive politike se sa një debat substancial i cili është në interes të qytetarëve dhe në interes të ardhmërisë”, tha Gërxhaliu.
Ai tha se vërtetë Kosova ka nevojë për transparencë, ka nevojë për një debat konstruktiv, qoftë ndërqeveritar e parlamentar por edhe në aspektin publiko- privat një gjë e tillë është duke munguar.“Besoj dhe kam frikë se të gjitha komisionet që janë formuar e po formohen kanë shumë më tepër qëllim fitimi në kohë, se sa zgjidhjet dhe daljet nga problemet”, shprehet ai.
Sipas tij, duhet të kuptohet që emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha rekomandimeve te komisioneve parlamentare apo hetuese, është sundimi i rendit dhe ligjit.“Në qoftë se do të kemi sundim të rendit dhe ligjit, nuk do të kemi nevojë për një kacafytje në mes të pozitës dhe opozitës dhe nuk do të ketë nevojë për komisione të tilla hetimore, sepse fjalën e parë dhe të fundit do ta jep prokuroria dhe gjyqësori”, tha Gërxhaliu për Rtklive.
Prandaj, siç tha ai, ky është realiteti sot në Kosovë dhe shpreh drojën se në mungesë të alternativave për të ndihmuar qytetarin dhe për të zhvillu bizneset për të krijuar një vizion drejt të ardhmërisë, krijohen këto komisione.
“Nga krijimi i këtyre komisioneve pres shumë pak përfitime për qytetarët dhe bizneset, pres shumë më tepër përfitime të mëditjeve nga anëtarët e parlamentit se sa për qytetarët”, tha Gërxhaliu.
Ndryshe, pozita dhe opozita do t’i kenë komisionet hetimore parlamentare të cilat i kërkuan dhe për themelimin e të cilave nuk ishin marrë vesh tash e sa ditë.
Komisioni i iniciuar nga PDK-ja parashihet t’i analizojë masat e marra prej shpalljes së gjendjes emergjente me energjinë elektrike dhe ta hetojë rolin e Qeverisë mbi menaxhimin e krizës, që ka qenë joadekuat sipas opozitës.
Ndërsa LVV-ja ka propozuar një tjetër komision parlamentar ku përfshihet hetimi i investimeve kapitale në KEK nga viti 2006, burimet, punësimet, kontratat për blerje të energjisë elektrike, privatizimi, etj.