Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka zbuluar se Eden Hazard aktualisht ka një dëmtim të vogël në gju, që do të thotë se ka probleme fizike që të luajë ndeshje të njëpasnjëshme.
Italiani foli për belgun, pasi Hazardit nuk iu dha asnjë minutë në fitoren e mesjavës ndaj Interit në Ligën e Kampionëve.
“Ai nuk luajti në ndeshjen e fundit pasi kishte një problem të vogël në gju, një që gjithashtu e shqetësoi atë në seancën stërvitore të premten”, tha trajneri në një konferencë shtypi të shtunën.
“Do të shohim me Hazardin, por ai është përmisuar në përgjithësi”.
“Megjithatë, ne duhet të jemi të kujdesshëm me të për shkak të dëmtimeve të së kaluarës. Të luash me të në dy ndeshje rresht mund të jetë e vështirë”, tha Ancelotti.
“Ai nuk është ende në nivelin që ne të gjithë duam, por të gjithë jemi të sigurt se ai do të kthehet në më të mirën e tij”.
Gareth Bale po lufton në mënyrë të ngjashme për të qëndruar në formë dhe Ancelotti u pyet për dëmtimin e fundit të Uellsianit, por nuk mund të japë një datë për kthimin e tij, shkruan Marca, transmeton Klankosova.tv.
“Ne ende nuk e dimë sa kohë do të jetë jashtë”, tha Ancelotti për Bale.
“Është një dëmtim mjaft i rëndësishëm, por është e vështirë të japësh një datë kthimi”.
Duke parë kundërshtarin si Valencia, Ancelotti pranoi se disa ndryshime në formacion mund të bëhen.
“Mendoj se ndërrimet janë të rëndësishme, sepse ka lojtarë që mund të jenë të lodhur”.
“Valencia është në formë të mirë, kështu që ne do të duhet të jemi të vëmendshëm, nuk jam i shqetësuar për stilin e tyre fizik, vetëm për formën e tyre të mirë”, përfundoi Ancelotti.