Lumbardh Dellova dhe mesfushori i talentuar defensiv, Lindon Emërllahu, janë ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës për dy ndeshjet e këtij muaji. Kështu ka bërë të ditur për KOHËN të shtunën drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi.
Kosova më 24 shtator do të luajë në udhëtim tek Irlanda e Veriut, ndërsa më 27 shtator e pret Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Do të jenë dy ndeshjet e fundit të Kosovës në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve në Grupin 2 të Ligës C.
“Lumbardh Dellova dhe Lindon Emërllahu janë në përfaqësuese”, ka thënë Nexhipi.
Thirrja e dy futbollistëve në përfaqësuesen e Kosovës vjen pas suksesit të Ballkanit të arritur në Ligën e Konferencës.
Ballkani u kualifikua në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe është skuadra e parë nga Kosova që merr pjesë në fazën grupore të ndonjë gare të organizuar nga UEFA.
Përzgjedhësi i “Dardanëve”, Alain Giresse, ka qenë i pranishëm në stadium në ndeshjen që Ballkani barazoi ndaj Clujit të enjten me rezultatin 1:1. Ishte ndeshja e parë e fazës grupore.
Shënues i golit për suharekasit ishte mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi.