Barcelona dhuroi spektakël dhe emocione në El Clasico. Ekipi i Xavit, edhe pse të enjten luajti në Stamboll dhe u kualifikua në çerekfinalet e Europa League, triumfoi 0-4 në “Santiago Bernabeu” kundër Realit, ekipit që kryeson kampionatin spanjoll.
Xavi ndihet në ekstazë për lojën e djemve të tij, njësoj si i gjithë populli katalanas. Trajneri komentoi suksesin e jashtëzakonshëm kundër skuadrës së Carlo Ancelottit, me Barcelonën që numëron 12 pikë dhe një ndeshje më pak se “Los Blancos”.
“Ishte një mbrëmje e këndshme për tifozët e Barcelonës. Nuk e prisnim të ishim kaq superiorë në stadiumin e tyre, por mund të kishim shënuar më shumë gola. Reali kishte një javë pushim, ndërsa ne u kthyem nga Turqia të premten.
Kemi luajtur një ndeshje spektakolare, jam shumë i kënaqur. Dominuam Realin në çdo aspekt, ishim dukshëm superiorë: në lojë dhe rezultat. Kënaqësi e madhe, largohemi të buzëqeshur.
Ne duhet të ecim përpara me gjithë përulësinë e botës… Le të festojmë duke pritur me padurim Sevillan dhe Europa League”, deklaroi trajneri 42-vjeçar, i cili po arrin të krijojë diçka magjike te Barcelona në një kohë të shkurtër.