Shërbimi diplomatik i BE-së ka njoftuar se Elektrosever, kompani me pronësi serbe që është themeluar në Kosovë, në përputhshmëri me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës do t’i faturojë katër komunat veriore të vendit.
Kështu është bërë e ditur me anë të një komunikate të lëshuar për media, duke thënë se një vendim i këtillë “hap rrugën drejt përfundimit të praktikës aktuale jo-transparente dhe të pa rregulluar”, shkruan lajmi.net.
“Me marrëveshjen e sotme, Elektrosever, kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjit të Kosovës, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe. Kjo hap rrugën drejt përfundimit të praktikës aktuale jo-transparente dhe të pa rregulluar”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera, BE-ja e ka pare udhërrëfyesin e arritur sot si formë marrëveshjeje nga pala kosovare dhe ajo serbe si “një hap përpara normalizmit të marrëdhënies”.
“Udhërrëfyesi përcakton një afat kohor të qartë dhe hapa konkretë për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë të 2013 dhe 2015. Të dyja marrëveshjet janë zbatuar vetëm pjesërisht me elemente përkatëse ende të pazgjidhura”, vijohet ndër të tjera.