Marrëveshja e përkohshme për targat e cila u arrit mes Kosovës dhe Serbisë në muajin shtator të vitit të kaluar, do të përfundojë gjatë këtij muaji, më saktë me datën 21 prill.
Sipas kësaj marrëveshjeje, veturat me targa të Kosovës dhe Serbisë, janë detyruar të vendosin stikersa mbi simbolet shtetërore të te dy shteteve, kur kalonin në territorin e njëra-tjetrës, shkruan lajmi.net.
Kjo marrëveshje ishte përkohshme. E në përfundim të saj, më saktë, para përfundimit të saj pritej që të arrihej një marrëveshje e re mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e cila supozohej të ishte përfundimtare.
Por, duke parë që afati i skadimit të marrëveshjes së parë është larg vetëm edhe dy ditë, shtuar kësaj qëndrimet e kundërta që kanë delegacionet e të dy shteteve, arritja e një marrëveshjeje të re po shihet si vështirë e realizueshme.
Rreth kësaj çështjeje, por edhe asaj së çfarë mund të pasojë në rast nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, për lajmi.net, janë prononcuar njohësit e sigurisë, Nuredin Ibishi dhe Avni Islami.
Ibishi, tha se situata është më e komplikuar sesa duket, për shkak se, përveç veturave që qarkullojnë me targa që kanë simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, ka mjete që kanë targa që kanë mbetur nga e kaluara si ato me UNMIK-un. Për këtë arsye arritja e një marrëveshjeje të re është vështirë e mundshme, shtuar faktin se ka edhe pak kohë deri në skadimin e afatit, por edhe qëndrimet që kanë delegacionet e vendeve.
“Realisht pasi që qeveria po thirret në reciprocitet, në të gjitha fushat në këtë rast edhe çështjen e targave, situata është pak më e komplikuar, për arsye se në këto mjete qarkullojnë edhe tabelat në kohën e ish-Jugosllavisë, por edhe tabelat tjera që kanë mbetur nga e kaluara që kanë vazhduar disa herë si këto me të UNMIK-ut. Këto çështje, pra tabelat RKS-së dhe të Serbisë që kanë simbole shtetërore, ato ende duhet që të bëhen negociata që të arrihet një marrëveshje e përbashkët. Por që është realisht vështirë e arritshme të realizohet kjo marrëveshje në kohë kaq të shkurtër, duke parë delegacionet dhe qëndrimet e tyre” tha ai.
Sa i përket asaj se çfarë mund të ndodh nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, e përhershme, Ibishi tha se, sipas tij, e vetmja mundësi është të vazhdohet me stikersa, pasi që heqja dorë prej simboleve do të jetë pengesa më e madhe e të dy anëve, edhe Kosovës edhe Serbisë.
“Do të vazhdojë tash, edhe një kohë me stikera në mbulimin e tabelave deri sa mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Mund të bëhet një kompromis, unë besoj se edhe ai duhet të jetë i dyanshëm. Heqja dorë prej simboleve do të jetë pengesa më e madhe e dy anëve edhe e Kosovës edhe e Serbisë, por që realisht e vetmja mundësi është të vazhdohet edhe një kohë me stikersa, me mbulimin e simboleve. Unë sa e shoh, koha është tejet e shkurtë për me arrite një marrëveshje, pasi që delegacionet janë në pozita kundërthënëse”, shoti njohësi i sigurisë.Rreth mundësisë se krijimit të tensioneve të reja në veri të Kosovës, ai tha që nuk ka arsye që të krijohet një situatë e tillë.
“Mendoj që nuk ka arsye që të besohet që kjo mund të ketë shkas për ngritje të tensioneve. Kjo situatë do të vazhdojë deri në arritjen e një propozimi nga BE, që do të jetë i pranueshëm me standard që e kanë evropianët. Por duhet të jetë i pranueshëm nga dy palët. Problemi ma i madh është nga Serbia në këtë rast, sepse ata e injorojnë shtetësinë e Kosovës, ndërsa më lehtë mund të jetë tejkalimi i situatës nga pala e Kosovës, e cila do të jetë më bashkëpunuese. Por që pala serbe do të jetë kundërshtare e miratimit eventual të një marrëveshje me simbole të shtetësisë së Kosovës”, përfundoi Ibishi.
I pyetur për të njëjtën çështje, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, kujtoi sulmet e fundit që janë bërë ndaj Policisë së Kosovës, duke shtuar se ai është skeptik që një marrëveshje përfundimtare për targa të arrihet, kjo për shkakun se, sipas tij, Serbia është e interesuar të mbajë të tensionuar gjendjen e sigurisë në veri.
“Kohet e fundit kemi pasur rastin të shohim sulm ndaj Policisë së Kosovës, duke e rreziku rendin e Kushtetutës në vendin tonë, pra në veriun e Kosovës. Unë jam skeptik që do të mund të arrihet një marrëveshje e tillë, sepse Serbia nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje, pasi që Serbia është e interesuar ta mbajë të tensionuar gjendjen e sigurisë në veri, dhe në njëfarë mënyrë t’i bëj argat Rusisë, ngase përqendrimi i Bashkësisë Ndërkombëtare është kryekëput në Ukrainë”, ka thënë ai.
Megjithatë, pavarësisht sulmeve ndaj PK-së në veri të Kosovës, Islami, mendon që nuk do të tensionohet gjendja e sigurisë, duke shtuar se, sipas tij, Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje.
“Por unë nuk pres që të tensionohet gjendja e sigurisë për shkak të këtyre incidenteve, dhe besoj shumë që organet e sigurisë së Kosovës kanë plane operative për t’i neutralizuar rastet e tilla. Dhe uroj që të ketë marrëveshje për targa, mirëpo në bazë të situatës së çfarë gjendemi, duket se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje”, shtoi ai.
Ai po ashtu deklaroi se, Serbia gjithëherë ka pasur qëllim tensionim në veri të Kosovës, por, ai nuk pret që të ndodhë diçka e tillë, meqë sipas tij, as qytetarët lokal serbë, nuk duan të jetojnë me tensione e frikë.
“Serbia vazhdimisht dhe në vazhdimësi dëshiron që ta tensionojë gjendjen në veriun e Kosovës, por unë nuk pres që të tensionet më tutje, sepse edhe vetë qytetarët lokal serbë nuk janë të interesuar që të jetojnë me tensione, në frikë dhe pasiguri, dhe kësisoj unë shumë besoj që nuk do të ketë tensionim, kjo duke ju falënderuar edhe organeve të sigurisë së Kosovës”, vazhdoi Islami.
Më tej, duke komentuar sulmet mbi Policinë e Kosovës në veri të vendit, ai tha se, këto sulme me gjasë vijnë nga struktura të caktuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, por që, falë organeve të sigurisë së Kosovës dhe prezencës së KFOR-it dhe EULEX-it, sipas Islamit, këto grupe nuk do ta arrijnë qëllimin e tyre.
“Ata të cilët i bëjnë ato, nuk mund të them që janë qytetarë të thjeshtë, qytetarë lokal që e duan qytetin e tyre e duan vendin dhe dëshirojnë të jetojnë në paqe. Mirëpo këto me gjasë vijnë nga struktura të caktuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, por edhe njëherë po e ri theksojë se unë nuk besojë që do të ia arrijnë qëllimit, sepse ne këtu kemi përveç organeve tona të sigurisë, të cilat janë dhe veprojnë në mënyrë profesionale, janë edhe KFOR dhe EULEX, kështu që nuk pres përshkallëzim të situatës”, përfundoi Islami.
Duhet kujtuar se, gjatë javës së fundit, Policia e Kosovës është sulmuar disa herë rresht në veri të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe sulme më armë të tipit AK47 dhe granata dore.
Këto sulme, përveç partive politike, i kanë dënuar edhe bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës