Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur dhe viktimat më të shpeshta pas grave po del të jenë fëmijët. Kështu ka ndodhur edhe të hënën në fshatin Abri e Epërme e Drenasit, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të birit 20-vjeçar, raporton sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë ku jetojnë, ku i dyshuari përveç dhunës, kishte shkaktuar edhe probleme tjera, duke dëmtuar orenditë, deri në atë pikë sa e kanosi djalin edhe me thikë.
Përballë kësaj situate, i riu ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer për kanosjen serioze nga babai dhe dhunën që ka përjetuar.
Njësitet policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë arrestuar 41-vjeçarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.