BKT Superliga vazhdon aksionin këtë fundjavë me xhiron e parafundit të stinorit vjeshtor teksa na sjellë pesë ndeshje të bukura dhe interesante mes skuadrave të cilat po luftojnë fuqishëm për objektivat e tyre sezonal.
Dy duelet të cilat luhen të shtunën me fillim nga ora 13:00 dhe transmetohen në Artmotion janë Drenica – Ballkani dhe Gjilani – Malisheva.
Ndeshja mes Drenicës dhe Ballkanit transmetohet në Art Sport 1 nën komentimin e Andi Shabanit, ku Drenica krejtësisht jashtë formës dhe me pesë humbje në ndeshjet e fundit do të mundohet ta kërkojë këndelljen dhe të paktën një pikë shprese ndaj liderëve të kampionatit, Ballkanit që po synojnë të shkojnë në pushimin dimëror si lider të BKT Superligës.
Dueli tjetër mes Gjilanit dhe Malishevës do të jetë live dhe ekskluzivisht në Art Sport 2 nën komentimin e Lirim Pecit.
Gjilani është ndjekësja më e afërt e skuadrës së Ballkanit dhe do të synojë të marrë tre pikë të plota në shtëpi para se në xhiron e ardhshme, të fundit të vjeshtës dhe vendimtare, të përballet pikërisht me Suharekasit.
Nga ana tjetër për Malishevën çdo rezultat pozitiv kundër skuadrave të renditura lart në tabelë është bonus dhe i mirëseardhur.