Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë raportohen raste kur të rinj që posedojnë drogë kapen në flagrancë nga Policia. E një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Iliria’ në Skenderaj, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se njësitet policore kanë shkuar në shtëpinë e një 22-vjeçari, i cili fillimisht dyshohej se në shtëpinë e tij po mban me dhunë një vajzë të moshës së mitur.
Me të shkuar në vendin e ngjarjes, në shtëpinë ku ndodheshin 22-vjeçari dhe një vajzë, të cilët kanë deklaruar se janë në lidhje dashurie, Policia ka gjetur copëza të imëta që dyshohet se ishin substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë si dhe një cigare në gjysmë e cila është konfiskuar.
Të rinjtë janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku vajza ka deklaruar se ndodhej në atë shtëpi me dëshirën e saj, ndërkaq të dyshuarit i është bërë edhe testi i alkoolit, i cili ka rezultuar se është nën ndikim të tij.
Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve’.