Një 30-vjeçar nga fshati Baicë i Drenasit ka përfunduar në ndalim policor, pasi u denoncua nga kompania “Ibër-Lepenc”, nën dyshimet se ka dëmtuar disa pajisje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i riu A.Sh., po dyshohet se ka dëmtuar ventilin që shërben për ujitjen e arave në fshatrat përreth, veprim ky që e ka përsëritur që disa herë. Kjo ka bërë që një punëtor i kësaj kompanie që bën ujitjen e kulturave bujqësore ta denoncojë atë në Polici.
Sipas informatave të para, i njëjti rast ka ndodhur edhe para dy ditësh, ku i dyshuari ka dëmtuar pusetën. Madje sipas denoncuesit ai i ka paralajmëruar se “kështu do t’ia bëj edhe 100 herë”.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin. Ndaj tij, prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”.