Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person, i cili dyshohet të ketë vrarë gruan e tij 48 vjeçare në Llaushë të Skenderajt.
Burime të rajonit kanë marrë vesh se i dyshuari për vrasjen e 48 vjeçares është S.Q,51 vjeçar.
Familjarët e viktimës kanë shkruar në redaksin e portalit rajoni.org, për ta demantuar lajmin se kinse ajo është vrarë për motive të ulëta.
“Aii njeriu, S. Q, ka disa vite që ka filluar të përdor dhunë në familje, si arsyetim i kësaj dhunë e kishtë gjetur arsyjën se kinsë tezja jonë e kishtë tradhëtuar për ta vrarë, të gjithë ata që e kanë njohur tezën e dijnë së nuk ka pasur si ajo grua, e urtë e ndershme e me gjitha të mirat, fati i saj ishtë së ishtë e martuar me këtë njeri”, ka thënë familjarja e viktimës për rajonin.
Ngjarja që e ka tronditur sot Skenderajn ka ndodhur rreth orës 13:10.
Më poshtë njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Sot, rreth orës 13:40, policia në Skenderaj, ka pranuar informacion për një plagosje nga arma e zjarrit e ndodhur në fshati Llaushë të Skenderajt.
Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.
Nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij) L.Q., 48 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima si pasojë e plagëve kishte vdekur.
Lidhur me veprën penale është arrestuar një person i dyshuar, nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit Pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë (6) gëzhoja.
Pas intervistimit të dyshuarit S.Q,.51 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.