Gazeta Sinjali sot raportoi për një aksion të Policisë që u zhvillua në Ferizaj, me ç’rast u arrestua një person dhe pas bastisjeve të zhvilluara u kapën rreth 15 qese me kokainë e marihuanë. Personi që u arrestua është frizer, që ushtron këtë veprimtari në Ferizaj, të cilit Policia ia kontrolloi lokalin dhe shtëpinë, ku iu gjet droga.
Sipas burimeve brenda Prokurorisë, frizeri që u arrestua në rrugën “Besim Rexhepi” në Ferizaj është Ramadan Gajtani, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit.
Gjatë aksionit të Policisë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe aprovim të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake u kontrollua lokali dhe shtëpia e të dyshuarit, ku u konfiskuan 10 qese me kokainë, disa qese me marihuanë, pajisje për përpunimin e narkotikëve, telefona, e para të gatshme.
Pas arrestimit të të dyshuarit, i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Përveç tij, Sinjali mëson se hetuesit policorë kanë intervistuar edhe dy dëshmitarë, të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve.
Aksion kundër drogës në Ferizaj, arrestohet një frizer – Policia i gjen rreth 15 qese me kokainë e marihuanë
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.