Kombëtarja e Kosovës pësoi disfatë në shtëpi nga Kombëtarja e Gjeorgjisë në ndeshjen e parafundit të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Kjo humbje shkaktoi dëshpërim të madh tek futbollistët dhe opinion i gjerë, por as pas kësaj humbje përzgjedhësin Bernard Challandes nuk e pa të arsyeshme të japë dorëheqje. Ai para aktit moral zgjodhi të ndjekë anën financiare, ku me gjasë për rezultatet e dobëta dëshiron që të nxisë shkarkimin nga pozita, me çka do të përfitonte pjesën e mbetur të parave nga kontrata e tij.
“Pozicioni im nuk është problem, por si të përmirësosh atë që nuk është në rregull. Jam mirë me këtë ekip, jam ende trajner. E di që duhen rezultatet dhe këtë herë nuk kemi rezultate. Natyrisht nuk do të jetë e lehtë për mua në të ardhmen, e mendoj të nesërmen si trajner, e bëj punën time, jap makimumin dhe pastaj është vendim i Federatës jo i imi”, tha ai pas ndeshjes.
Por, duket se zviceranit i ka ardhur fundi në krye të Dardanëve. Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se sot në orën 13:00, do të mbajë konferencë për media, për të cilën nuk janë dhënë detaje, por që mendohet se kjo konferencë ka të bëjë pikërisht me të ardhmen e Challandes.