Për shekuj nëpër botë llafoset për shoqëritë masonike. Ritualet, ceromonitë e takimet sekrete veçse e kanë rritur kurreshtjen e gjindjes për ta. Mirëpo, misterioziteti rreth lozhave masone ka rritur edhe paragjykimet e teoritë e komplotit, të cilat tashmë kanë depërtuar edhe në shoqërinë kosovare.
Mbajtja sekrete e anëtarësisë ka bërë që shumë emra të përfolën si pjesëtarë të shoqërisë sekrete. E njëjta ka ndodhur edhe me lozhat masonike shqiptare.
“Ne nuk i shpalosim emrat e anëtarëve,” – i tha Lozha e Madhe e Kosovës (LMK) gazetës Nacionale, përderisa paraprakisht theksuan se për përgjigje duhet të prisnin disa ditë, pasi përgjigjet e lozhës duhet të aprovohen nga “Komiteti për komunikim dhe Imazh publik” dhe pastaj të kërkohet aprovim për shpërndarje të përgjigjjeve nga Zyra Qëndrore.
Të qenit mason është “një rrugëtim individual” dhe ata sugjerojnë se “si e tillë duhet të trajtohet edhe nga mediat, kur flasim nga kjo perspektivë.”
Lozha e Madhe e Kosovës tregoi se kushdo që është pjesë e “vëllazërisë masonike kosovare” mund të tregojë për veten se është mason, apo murator siç i thonë ata. Ama reptësisht e ka të ndaluar të kallxojë ‘‘për ndonjë vëlla tjetër’’ se është pjesë e shoqërisë sekrete.
Parim ky shekullor e në të cilin këmbëngulet edhe sot e kësaj dite nëpër të gjitha lozhat masonike të çdo vendi të botës.
“Vëllazëria ka një anëtarësi diverse nga mosha, profesioni e vendbanimi,” – thanë masonët e Kosovës, duke shtuar anëtarët janë të etnive e religjioneve të ndryshme dhe mosha mesatare e masonëve kosovarë të anëtarësuar është 39 vjeç, që sipas tyre është më e reja prej të gjitha lozhave nëpër botë.
“Masonë me origjinë nga Kosova, aktivë në vende të ndryshme të botës, i janë bashkuar Lozhave në Kosovë dhe po kontribuojnë në zhvillimin e zejes këtu,”
Ata shtuan se selitë i ndodheshin përveç Prishtinës edhe në Gjakovë.
E çuditshme është se masonët nuk pranojnë gratë si anëtare të organizatës së tyre sekrete.
Ky vendim i masonëve të LKM-së është ndikur nga Lozha e Madhe e Bashkuar e Anglisë “e cila ndjek shembullin e gurëgdhendësve mesjetarë, ku gratë nuk pranohen, dhe njëjtë veprohet edhe në Lozhën e Madhe të Kosovës”, siç thonë ata.
Lozha kosovare refuzoi të fliste rreth emrave të masonëve që ka vite që përfliten si anëtarë të tyre në Kosovë.
“Nuk ka dëshmi për ekzistimin e Lozhave masonike në Kosovë para vitit 2014, por ekzistojnë elemente që sugjerojnë se gjatë kohës së Perandorisë Osmane në disa qytete të Kosovës ka pasur vëllazëri që kanë funksionuar në bazë të rregullave masonike,” thanë masonët e sotëm kosovar.
Ruajtja sekrete e anëtarësisë shqiptare masone ka bërë që gati secila figurë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare të përflitej se ishte pjesë e vëllazërisë masone.
Vëllëzërit Frashëri për shembull janë emra që vazhdimisht nëpër diskutime të komplotistëve janë parë si masonë. Pastaj nuk është lënë politikanë shqiptarë që ka qenë i përfshirë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë e të mos jetë parë si mason, përfshirë këtu edhe kryeministrin e parë shqiptar, Ismajl Qemajlin.
Lozha i tha Nacionales se sikur janë të bindur se gjatë sundimit jugosllav në Kosovë nuk është themeluar e nuk ka funksionuar ndonjë grup masonik brenda qyeteve kosovare.
Masonët kosovarë këtu ose duan të ruajnë parimin shekullor për të mos zbuluar sekretin e asnjë vëllai mason, ose duan të rrëzojnë pretendimet rreth disa figuarave të njohura në Kosovë si pjesë të masonëve. Emrat si Ibrahim Rugova, Arbën Xhaferi, apo Veton Surroi janë mbeshtjellur me teori të komplotit e janë parë nga shumëkush si pjesë të masonëve.
Sidoqoftë, masonët kosovarë pranuan të flasin me gazetën Nacionale për themelimin e Lozhës së Madhe të Kosovës dhe për degët e numrin e anëtarëve që kanë.
Lozha e Madhe e Kosovës është themeluar në vitin 2017, dhe kjo është mundësuar nga bashkimi i tri lozhave që veçse funksiononin e që kanë qenë pjesë e Lozhës së Madhe të Shqipërisë.
“Drita muratorike është sjell në Kosovë më 18 shkurt 2018. Momentalisht numëron 67 anëtarë, ka pesë lozha vartëse, tri në Prishtinë dhe një në Gjakovë, ndërsa Lozha nr 5 quhet Pitagora dhe është lozhë e instruksionit,” i thanë ata gazetës Nacionale.
Por çka bëjnë masonët kosovarë, cilat janë gradat, cili është qëllimi e aktiviteti i tyre, si dhe cilat janë lidhjet e tyre ndërkombëtare, që ata i quajnë lidhjet vëllazërore?
“Si çdo lozhë e madhe në botë, edhe Lozha e Madhe e Kosovës ka për qëllim të krijoj lidhje vëllazërore, ku burrat me emër të mirë, i bën edhe më të mirë. Kjo përmes mësimeve dhe parimeve muratorike (masonike), që përcillet tek vëllai përmes rrugëtimit muratorik nëpër grada përkatëse,” – i thanë Nacionales ata, duke mos shtuar diçka më shumë.
Gradat masonike janë të ngjashme edhe në Kosovë, porsi tek lozhat tjera: fillimisht një person kur futet brenda lozhës është nxënës, pastaj mund të kalojë në zejtar e pastaj krejt në fund mund të kalojë në gradën më të lartë atë të mjeshtrit.
Procedurat e detyrat se si mund të avancohet dikush nga njëra gradë në tjetrën mbahen sekret nga masonët, por se për t’u bërë pjesë e lozhës kosovare, porsi e gjitha lozhave tjera, paguhet një pjesë e anëtarësisë vjetore si dhe një shumë fillestare për pranim e gradim, por që shifrën nuk e tregojnë masonët e Kosovës.
Masonët kosovarë të Lozhës së Madhe të Kosovës thanë se ata kanë kalendarin e përvitshëm të aktiviteteve, të cilin refuzojnë ta ndajnë me publikun, bile në disa prej aktiviteteve nuk lejohen as disa prej masonëve të gradës së ulët.
E ky insistim në të qenit diskret nuk i bënë përshtypje Lozhës së Madhe të Kosovës. Bile ata insistojnë se kjo nuk qëndron. Ata nuk besojnë se ka pak informata për masonerinë e lirë të Kosovës.
“Sa i përket LMK ne kemi kanalet tona zyrtare të komunikimit, ku përfshihet email, uebsite dhe rrjetet sociale dhe të cilat janë mjaft aktive. Në uebsite prezentohen lozhat vartëse dhe orientet e saj, historiku, muratoret e famshëm shqiptar, libra shqip lidhur me Muratorine e Lirë,” thonë ata në përgjigjjen për Nacionalen.
Mirëpo, Nacionale shikoi uebfaqen e organizatës dhe tek pjesa “muratorët e famshëm shqiptarë” nuk kishte asnjë informatë.
Lozha e Madhe e Kosovës u përgjigjë thjeshtë: Çfarë mendon ti se mungon si informatë?