Greqia ka mposhtur Kosovën me rezultat 2-0. Kjo ka ndodhur në një ndeshje të dominuar nga helenët brenda fushës së lojës, në kuptim të posedimit të topit, po edhe statistikave të tjera, si dhe me tensione në tribuna, ku shikuesit kanë provokuar kosovarët, si ekipin që gjendej në fushë e edhe tifozët.
Përballë situatave të diskutueshme në fushë shpeshherë indiferent është treguar edhe vetë gjyqtari austriak.
Grekët kanë kaluar në avantazh në minutën e 71-të përmes një gjuajtje me kokë nga Giakoumakis, e cila ishte e fortë për Muric.
Pastaj ndeshja është ndërprerë për disa minuta, pasi tifozë grekë janë futur në fushë. Ndeshja ka filluar vetëm pas disa konsultimeve të arbitrit me të dy ekipet.
Me të filluar ndeshja trajneri i Kosovës ka bërë ndryshime, duke aktivizuar Sahitin dhe Zenelin, por çdo gjë ishte vonë për një arritje të barazimit.
Në fund të nëntëdhjetëminutëshit, austriaku ka dhënë tetë minuta shtesë, por as ata nuk mjaftuan për një rikthim të Kosovës.
Kur gjyqtari po matej t’i binte bilbilit për mbarimin e ndeshjes, Muriç kishte lëshuar portën në kërkim të golit ndaj grekëve, por një nga grekët, Mantalos,hodhi topin në drejtim të portës së Kosovës, që kishte mbetur e zbrazur dhe rezultati shkoi në 2-0.
Kjo fitore e betonon Greqinë në pozitën e parë të grupit, duke bërë që Kosova të luajë sërish në Ligën C.