Dy zyrtarë policorë mbetën mbrëmë të plagosur në Skenderaj, pas një konflikti me disa qytetarë ku dyshohet se u përdor edhe arma e zjarrit. Sinjali raportoi ekskluzivisht se në këtë incident është i përfshirë ish-nënkryetari i kësaj komune, Nuredin Lushtaku bashkë me disa familjarë të tij. Rasti u konfirmua nga Policia, teksa për rastin janë deklaruar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Në një përgjigje për Sinjalin nga IPK kanë njoftuar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident.
Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar.
Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar).
Për detaje shtesë ju lutem i referoheni Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Sinjalin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata