Trajneri portugez, Jorge Jesús, i cili kishte mbetur pa skuadër që kur u largua nga Benfika në dhjetor, ka gjetur një ekip të ri. Sipas të përditshmes portugeze “Record”, trajneri luzitan do të nënshkruajë me Al-Nassr të Arabisë Saudite dhe do të fitojë 10 milionë euro në sezon. Kështu, ai do të hyjë në top-10-shen e trajnerëve më të paguar në botë, madje do të përfitojë më shumë se Mourinho (9.2 milionë euro) apo Pochettino (8 milionë euro). Edhe Bielsa, që ishte në krye të Leedsit deri pak javë më parë, merrte një pagë më të ulët, 9.5 milionë euro në sezon.
Jorge Jesús, në moshën 67-vjeçare, do të jetojë fazën e tij të dytë në futbollin saudit, pasi më herët ka qenë në krye të Al-Hilal, midis viteve 2018 dhe 2019, përpara se të merrte drejtimin e Flamengos në Brazil. Sipas të njëjtave informacione, në listën e kandidatëve ishin edhe Paulo Fonseca, Rudi García dhe Abel Ferreira, por në fund klubi saudit zgjodhi ish-trajnerin e Benfikës dhe Sportingut të Lisbonës.