Në prag të sfidës kundër Bodo/Glimt, trajneri i Romës, Jose Mourinho është ndalur përpara kamerave për të dhënë konferencën e zakonshme për shtyp.
Tekniku portugez u ndal te momenti i vështirë që po kalojnë Abraham dhe Zaniolo, si dhe konfirmoi se objektivi i vetëm për këtë sfidë është fitorja dhe kthimi në krye të grupit.
NDESHJA NDAJ BODO-“Duam të fitojmë për të qenë të parët në grup. Nuk e kemi harruar ndeshjen e kaluar ndaj Bodos” Ne të gjithë kemi bërë një gabim atje, nuk dua të them se njëri ka gabuar më shumë se një tjetër. Nesër duam të fitojmë si ekip. Ata nuk do të luajnë me të njëjtin ekip, padyshim. Edhe pas ndeshjes thashë që kisha shumë frikë nga i ftohti, lëndimet dhe lodhja, por jo nga ndeshja apo disfata. Unë bëra një gabim dhe bashkë me mua të gjithë gabuam”.
ABRAHAM- “Problemi është i të gjithëve, nuk është individual. Ai është një lojtar që vjen nga një futboll dhe kulturë tjetër. Mendoj se nuk është kurrë e lehtë. Ai filloi mjaft mirë, krijoi një ndikim pozitiv dhe tani jeton një moment jo të mirë, por është një lojtar i madh dhe kemi besim tek ai. Kam shumë besim tek ai”.
ZANIOLO- “Asnjëherë nuk është e lehtë pas dëmtimit, vetëm koha mund ta ndihmojë. Fizikisht ai është shumë i fortë. Ka detaje nga pikëpamja taktike ku duhet të përmirësohet ende, por është diçka normale pasi ka humbur dy vite karrierë në një moshë shumë të re. Zaniolo është profesionist dhe i pëlqen të punojë fortë, jam shumë i kënaqur me të”.