Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se dy të dyshuarit janë Hajriz Foniqi 57-vjeçar dhe Mustafa Foniqi 62-vjeçar.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur shkaku i një konflikti verbal që kishin pasur mes vete dy të dyshuarit. Gjatë përleshjes, përpos grushteve ata dyshohet se përdorën edhe veglën bujqësore të njohur si sfurk për të sulmuar njëri-tjetrin.
Për shkak të lëndimeve të marra ata kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.