Egzon Selimi, bletar nga fshati Gërlicë i Ferizajt prej më shumë se një viti po përballet me një lëndë të pazgjidhur nga organet e drejtësisë. Në muajin shkurt të vitit të kaluar kompania “Rukolli” që ndërtoi hekurudhën përgjatë këtij fshati sipas Selimit, ia dëmtoi mbi dhjetë koshere me bletë. Dëmi, siç ka treguar Selimi nuk u kompensua, pavarësisht që rastin e ka iniciuar në polici dhe Prokurori, shkruan koha.net.
Rasti i Selimit, në dhjetor të vitit të kaluar ishte mbyllur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj me arsyetim se dëmi nuk është bërë me qëllim dhe nuk ka elemente të veprës penale.
“Kompania Rukolli nga Skenderaj, vitin e kaluar m’i ka dëmtuar mbi dhjetë koshere me bletë në pronën time private përgjatë punimeve në hekurudhë. Në muajin maj e kam hapur rastin, sepse kam menduar se do të gjejmë një kompromis me kompaninë për dëmet e shkaktuara, por kjo nuk ka ndodhur. Ndërkohë, në muajin e gjashtë të këtij viti kam shkuar dhe e kam kërkuar lëndën time, e kam parë që prokurori e ka mbyllur lëndën time. Kam marrë guximin të pyes pse është mbyllur lënda dhe prokurori më ka thënë se nuk ka bazë, pasi që është dëmtim pa qëllim dhe vazhdo me procedura të tjera”, ka treguar Selimi.
Ai ka kritikuar Prokurorinë Themelore në Ferizaj për mbylljen e rastit të tij pa iu bërë kompensimi i dëmit nga kompania.
“Lënda ime është mbyllur, është arkivuar dhe nuk kam qenë i njoftuar nga Prokuroria e as nga Policia. Tash kam iniciuar një padi civile ndaj kompanisë ‘Rukolli’ e cila ishte e nënkontraktuar për kryerjen e punimeve në këtë hekurudhë”, ka thënë Selimi.
Përfaqësues të kompanisë “Rukolli”, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se gjatë kryerjes së punimeve sipas projektit pa qëllim ka ndodhur rrëzimi dhe rrjedhimisht dëmtimi i pesë koshereve të bletëve, për çka posedojnë edhe një video-incizim nga vendi i ngjarjes.
“Ne si punëkryes, e kemi shprehur gatishmërinë tonë që pronarit të koshereve t’ia kompensojmë dëmin e shkaktuar. Ai ka kërkuar që pak më tutje t’ia rregullojmë një vend ku do t’i rivendosë kosheret dhe ne ia kemi rregulluar këtë vend, ndërsa disa ditë më vonë ai është ankuar në polici. Pas kësaj, udhëheqësi i punimeve ka dhënë deklaratë ku e ka theksuar se ne jemi të gatshëm që t’ia kompensojmë dëmin e shkaktuar”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Rukolli”. Sipas kësaj kompanie, pronari i koshereve ka kërkuar në formë kushtëzimi nga kompania që të gërmojmë 50 centimetra dhe të rrafshojmë një arë prej mbi 1 hektar që sipas kompanisë është një punë shumë voluminoze.
“Ne që nga fillimi kemi qenë të gatshëm që të kompensojmë për dëmin që i është shkaktuar, dhe po ashtu kemi deklaruar edhe në polici që do të paguajmë dëmin në vlerën që do të vendosë gjykata”, thuhet më tej në përgjigjen e kompanisë.
Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë sqaruar se lënda është mbyllur shkaku se nuk ka pasur të bëj me elemente të veprës penale. Egzon Jakupi, zyrtar i Lartë për Bashkëpunim Profesional në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka thënë për KOHËN se pala kishte paraqitur ankesë se kompania “Rukolli” ia kishte dëmtuar gjashtë koshere me bletë dhe katër të tjera i janë dëmtuar pjesërisht.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka mbyllur rastin e evidentuar PPN.II.nr.368/21, ngase vepra penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, kryhet vetëm me dashje, e që në rastin konkret nuk kem të bëjmë me elemente të veprës penale, ngase e njëjta është shkaktuar nga pakujdesia, prandaj pala e dëmtuar për realizimin e kompensimit të dëmit, është udhëzuar në kontest civil”, ka thënë Jakupi në përgjigje.