Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se për shkak të politikës agresive të Beogradit nuk e përjashton mundësinë e një konflikti të ri, presidenti serb, Aleksadar Vuçiq hodhi akuza të rënda duke thënë “autoritetet e Prishtinës po përgatiten për likuidimin e serbëve në veri të Kosovës”.
Në një konferencë për media nga zyrat e tij, Vuçiq është kujdesur të çojë mesazhe agresive, vetëm një javë para takimit me Kurtin në Bruksel.
Përveç gjuhës së rëndë se pala kosovare po përgatit sulm dhe vrasje në Veri, Vuçiq ka nxitur serbët që të mos i pranojnë vendimet e Kosovës për targat RKS dhe dokumentet për hyrje-dalje në Kosovë.
Në prag të bisedimeve mes dy palëve të enjten e ardhshme në Bruksel, Vuçiq thotë se është skeptik dhe nuk beson se diçka do të ndryshojë.
“Dhe unë ju them, ata po përgatisin likuidimin e njerëzve tanë në veri dhe këtë jua them hapur dhe i paralajmëroj të mos e bëjnë këtë, nën maskën e luftimit të krimit dhe nuk e di se çfarë… Të vrasim njerëz, dhe ne nuk duam të vrasim askënd, nuk na pëlqen as ta përmendim, na duhet paqe dhe stabilitet”, tha presidenti i Serbisë.
E vetëm 24 orë më parë, kryeministri i Kosovës në një intervistë për agjencinë Reuters ka deklaruar se Kosova është e përgatitur të përballojë një sulm të mundshëm nga Serbia.
“Nuk duhet ta neglizhojmë faktin se këto politika agresive të Beogradit, në një mënyrë apo në tjetrën, mund të shndërrohen në një sulm ndaj Kosovës. Jemi vigjilentë, por nuk kemi frikë”.
“Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë apo javën e ardhshme, mirëpo do të ishte plotësisht e papërgjegjshme nga ana jonë që ta përjashtojmë mundësinë për rritje të tensioneve dhe konfliktit”, ka thënë Kurti.