Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar rreth progresit ekonomik në vend.
Në një postim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se rritja ekonomike është vizioni i Qeverisë së tij dhe këtë thotë se mund ta realizojnë me përkrahje për bizneset vendore.
“Përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masës 2.1, subvencionuam 20% të kryegjësë së kredisë për bizneset prodhuese e përpunuese. Kjo masë kap vlerën prej 15 milionë euro mbështetje direkte që u ka mundësuar 207 bizneseve të investojnë mbi 87 milionë euro në zgjerim të kapaciteteve. Me Masën 2.4 ofruam mbështetje për trajnime të stafit, brendim të produkteve e mbështetje për panaire jashtë vendit për të gjetur tregje të reja. Mbështetje nga e cila përfituan 75 biznese. Pra, u kemi ndihmuar bizneseve tona vendore që të zgjerojnë kapacitetet prodhuese e përpunuese ashtu që të rritet prodhimi vendor, punësimi e eksporti”, shkroi kryeministri.
Kurti ka deklaruar se në vitin 2021 janë regjistruar 25 mijë vende pune më shumë se në vitin paraprak, ndërsa që nga janari deri në gusht të këtij viti janë 15 mijë vende pune më shumë. Sipas tij kjo ka ardhur si rrjedhojë e eksportit.
“E rritja e eksportit pa dyshim nënkupton edhe rritje të aktivitetit ekonomik dhe punësimit në vend. Qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9% krahasuar me vitin 2020. Si rezultat, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, shkroi ai.
E kreu i ekzekutivit thotë po ashtu se investimet e huaja direkte në Kosovë po vazhdojnë të rriten gjatë qeverisjes së tij.
“Në periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ka tejkaluar vlerën prej 400 milionë euro. Pra, 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 99% me shumë sesa në vitin 2020”, tha tutje Kurti.