Tienmu Ma dhe Mustafë Bajrami ndajnë mendime diametralisht të kundërta, por kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka afruar të dy rreth vetes, shkruan Gazeta Express.
Eksperti amerikan, Tienmu Ma, në raportin e tij lidhur me deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq, kishte konststuar 31 shkelje ligjore gjatë këtij aksioni, duke ardhur në përfundimin se ata nuk paraqisnin rrezik për vendin.
Këtë konstatim, këshilltari i Albin Kurtit e kishte nxjerrë bazuar në dëshminë e ish-shefit të AKI-së Driton Gashit dhe në faktin që në operacion nuk kanë qenë të angazhuar shumë policë për shkak të ‘mosrrezikshmërisë’ së personave, si dhe në faktin se AKI-ja ka pritur një javë për t’i kërkuar policisë dëbimin e gjashtë shtetasve turq.
“Në bazë të provave të tjera bë dispozicion të Komisionit, mund të nxirret konstatimi faktik se, çfarëdolloj kërcënimi që gjashtë shtetasit turq paraqisnin për sigurinë kombëtare, ky kërcënim nuk ishte i natyrës që kanë paraqitur rrezik për sulme terrorist apo ndonjë akt tjetër të dhunshëm”, thuhet në raportin e ekspertit amerikan.
Por për Mustafë Bajramin, i cili të shtunën iu bashkua LVV-së së Albin Kurtit, ndërhyrja e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në rastin e deportimit të shtetasve turq nga Kosova në Turqi, ishte ndërhyrje e duhur dhe në të mirë të Kosovës.
“Nëse një president apo një funksionar i një shteti mik, siç është Turqia dhe shumë shtete të tjera të botës ndërhyn për të mirën e popullit tonë, ajo fjalë ‘ndërhyrje’ nuk duhet ta ketë kuptimin negativ, të cilën ne jemi të prirur tani për tani ta besojmë”, kishte thënë Bajrami para tri vitesh në një intervistë për Telegrafin.
Kryetari i vetëvendosjes Albin Kurti duke shkruar në Facebook për deportimin e shtetasve turq, kishte konstatuar se pak njerëz të fuqishëm po talleshin me Republikën.
“Pardje, gjashtë nënshtetas të Turqisë u kapën nga shteti i kapur i Kosovës. Nuk e dinim ku ndodhen. Nuk është e qartë pse i morën. Fare pak njerëz tejet të fuqishëm po tallen me Republikën ku asnjëri s’është i sigurt”, shkruante Kurti.
Ndërsa dje, duke e prezantuar Bajramin, përveç një fotografie të përbashkët, Kurti publikoi edhe një biografi me lavde për teologun.
“Si një lobues për njohjen e Kosovës në shumë shtete të botës dhe si njohës i mirë i Lindjes së Afërt e të Mesme, z. Mustafa Bajrami sjell dije e përvojë të vlefshme për Lëvizjen tonë”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërkaq Bajrami, tha se dy orët e kaluara me Kurtin dje, ishin më impresionueset në jetën e tij.
“Kam nderin gjithashtu të ju bëjë me dije se dy orët e kaluara dje në bashkëbisedim me Z. Albin Kurti, Liderin e Vetëvendosjes, kanë qenë dy orët me impresionuese që i kam përjetuar ndonjëherë në jetë”, shkroi Bajrami.