Kryeministri Albin Kurti, nuk e ka vizituar asnjë herë prej se ka ardhë në pushtet Luginën e Preshevës. Kur u pyet të dielen se kur do t`i vizitoj shqiptarët atje, nuk dha ndonjë datë po tha shkurt se do ta vizitojë Luginën e Preshevës. Ndërsa 2 milionë eurot e premtuara për shqiptarët atje nuk i ka ekzekutuar, ndonëse i ka ndarë që nga tetori i vitit të kaluar
Të hënën zv/kryeministri Besnik Bislimi dhe Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, qëndruan në Luginën e Preshevës, në aktivitetin e shpërndarjes së librave për nxënësit shqiptarë atje.
Por, ata nuk u pritën nga kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, me arsyetimin se Vetevendosje që është në pushtet në Kosovë e ka injoruar Komunën e Preshevës.
Për dallim nga zëvendësi i tij, Bislimi dhe Ministrja Nagavci, kryeministri Albin Kurti që nga dita kur e ka marrë mandatin nuk ka zhvilluar asnjë vizitë zyrtare tek shqiptarët në këtë anë, shkruan Insajderi.
Përveç që nuk shkoi fizikisht, Kurti pavarësisht premtimit nuk i dha kurrë 2 milionët e premtuar për ta.
Kujtojmë se vetë kryeministri me 29 tetor të vitit të kaluar pati njoftuar nga mbledhja e qeverisë se në projektligjin për buxhetin e vitit 2022, janë ndarë 2 milionë euro për Luginën e Preshevës.
“Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë eurove”, tha Kurti në mbledhje.
Por këto para nuk përfunduan kurr në llogari të institucioneve atje. Për këtë pati reaguar ashpër kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.
Kryetari i Preshevës flet per Insajderin, kritikon Qeverinë Kurti që nuk ua dha 2 milionët e premtuar – “Po përzihet në punët tona të brendshme”
Ai në një intervistë për Gazetën Insajderi, pati thënë se mos ekzekutimi i këtyre mjeteve po i dëmton shumë projektet që janë përgatitur atje dhe që parashihet të financohen nga këto mjete.
Ai fajëson njeriun e afërt me Albin Kurtin, ministrin Liburn Aliu që ka gisht në mos dhënien e këtyre mjeteve. Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të lidhjeve familjare që Liburn Aliu ka me ish kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Arifi thotë se ai personalisht nuk mund të kontrollohet nga Qeveria Kurti duke pretenduar se ish-kryetarja, Ardita Sinani është kontrolluar.
“Asgjë, De Facto asgjë. De facto kemi atë që na presin në takime e bëjnë foto. As parat që na kanë premtu nuk na kanë dhënë ende. Dhe kjo është nga Liburn Aliu që është me ndikim në qeverinë Kurti mos me u dergu paratë që qytetarët e Kosovës kanë vendosur për t’i dërguar 2 milionë euro për Preshevën. Tre projektet tona të planifikuara nga këto mjete kanë stopuar. Tre projekte të shumë kërkuara nga qytetarët tonë”, deklaroi Arifi.
Deri tash qeveria nuk e ka komentuar pse nuk i ka transferuar 2 milionët në llogarintë e shqiptarëve atje.
Por në vizitën e sotme, Bislimi tha se kanë ndarë fondin prej 2 milionë eurosh, por sipas tij, ky është vetëm një fond fillestar, pasi është filluar me idenë që në të ardhmen të rritet në numër.
“Kënaqësi bashkëbisedimi me ju, dhe mundësia që sadopak Kosova të bëjë diçka për vëllezërit tanë në Luginë kemi ndarë fondin për 2 milionë, por vetëm si fond fillestar me idenë që në të ardhmen të rritet në vëllim, për dallim është rritur në bashkëpunim”, ka deklaruar Bislimi.
Bislimi, nuk tregoi një datë të sakt se kur qytarët atje do të përfitojnë nga fondi.