Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar pas transmetimit të një aktiviteti partiak të Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, në faqen e Kuvendit të Kosovës në Facebook.
E pas kërkesës së Osmanit që që të ndërmerren masa urgjente ndaj kujtdo që ka keqpërdorur autorizimet zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm Ismet Krasniqi ka njoftuar për veprimet që janë marrë.
Krasniqi ka bërë me dije se është iniciuar procedurë disiplinore për menaxherin e kontratës, është pezulluar kontrata me një agjenci të lajmeve dhe është inicuar kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit./Express
Komunikata e plotë:
Në vazhdën e reagimit dhe të kërkesës së kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e transmetimit të drejtpërdrejtë të një aktiviteti të Partisë Demokratike të Kosovës, në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka ndërmarrë masat si në vijim:
1. Iniciohet procedurë disiplinore për Menaxherin e Kontratës.
2. Nga sot, datë 27 nëntor 2020, pezullohet kontrata e shfrytëzimit të shërbimeve nga operatori “Ekonomia Online”.
3. Iniciohet kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit.