Mediet pak më parë raportuan për arrestimin e një personi në fshatin Grejkoc të Suharekës, pasi i njëjti u kap me sasi të madhe të drogës. I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij pritet të merren edhe veprime tjera ligjore.
Mediet mësojnë ekskluzivisht se i dyshuari është 46-vjeçari, Lulzim Reshani.
Burimet e medieve brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor te 46-vjeçari kanë gjetur një karikator dhe substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Gjatë kontrollit në veturën dhe pronat e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1.5 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, mbi 2 kilogramë kokainë, municion, peshore, qese najloni që shërben për mbështjelljen e narkotikëve, para të gatshme, veturë, telefona e gjësende tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale lidhur me rastin.
Reshani do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.