Skenderaj- Policia e Kosovës (PK) njofton se ka konfiskuar një pushkë gjuetie me 12 fishekë, pasi ndaloi B.B (49-vjeçar) për një kontroll në automjetin e tij.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të dielën, në orët e pasdites dhe i dyshuari u ndalua nga njësitet policore në Skenderaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Konfiskimi i armës është realizuar në fshatin Baks të Skenderajt, në kohën kur njësia policore ka ndaluar për kontrolle një automjet me targa vendore ku gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit është gjetur dhe konfiskuar një armë pushkë gjuetie me 12 fishek, për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje për armë”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se në cilësi të të dyshuarit është intervistuar B. B., i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale ’Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”, thuhet tutje. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.