Fillimi i ndërtimit të rrugës që lidh komunën e Skënderajt me Zubin Potokun, siç duket po varros përfundimisht ëndrrën e drenicasve për të pasur një pendë në fshatin Kuqicë, shkruan portali rajoni.org.
Kjo pendë, një herë e përgjithmonë do ta zgjidhte furnizimin me ujë të kësaj treve, por që nuk do të realizohet, pasi kjo rrugë e re po ndërtohet mu në vendin ku ishte paraparë penda.
Në fakt ndërtimi i kësaj pende kishte qenë premtim i pushteteve komunale për 20 vite pas lufte.
Siç duket ajo është përdorur vetëm si një mashtrim për banorët e etur, pasi menjëherë si përfundonin zgjedhjet penda harrohej.
Këtu duhet bërë përjashtim deri diku pushtetit të Bekim Jasharit, i cili gjatë qeverisjes së tij tek pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet; kishte bërë studimin e fizibilitetit & kishte hartuar një projekt konkret, i cili mbeti veç në letër.
Ndërsa në anën tjetër, pavarësisht kësaj rëndësie të lartcekur të pendës, është interesant fakti që gati një vit qeverisje me Fadil Nurën kryetar dhe ai as që po e përmend pendën./Rajoni.org/