Chelsea dhe Tottenham Hotspur përballen për herë të dytë në këtë sezon, këtë radhë në kampionat, ku dy klubet po shkëlqejnë, duke u renditur vazhdimisht në shkallët e sipërme të Premier League-s.
Ekzaktësisht dy muaj më parë këto dy ekipe u përplasën në fazën e 1/8 në Kupën e Ligës dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Jose Mourinho ia doli të kalojë turin, duke i eliminuar “blutë” pas gjuajtjes së 11-metërshave.
Do të jetë sfida e radhës ndërmjet nxënësit dhe mësuesit, megjithëse për hir të së vërtetës trajneri i mirënjohur portugez nuk ka fituar në 90’ asnjë nga katër përballjet me skuadrat e drejtuara nga Frank Lampard. Frankie e ka thyer dy herë në edicionin e kaluar të kampionatit ish-trajnerin e tij, 2-1 në “Stamford Bridge” dhe 2-0 brenda në shtëpinë e “gjelave”, ndërkaq vlen të kujtohet edhe sfida Manchester United – Derby County në shtatorin e vitit 2018, kur “deshët” i eliminuan “djajtë e kuq” brenda në “Old Trafford” pas goditjes së penalltive.
Një ndeshje mbi të gjitha jubilare për Roman Abramovich, që natyrisht dëshiron të festojë me një fitore takimin e tij të 1.000 si president i Chelsea-t. Kuptohet, në fushë janë lojtarët ata që e interpretojnë ndeshjen, por gjithsesi duket vërtet e çuditshme që përballë njëri – tjetrit në një sfidë të tillë qëndrojnë pikërisht dy nga njerëzit më të suksesshëm, në historinë e bluve. Chelsea krenohet me plot 16 trofe që nga koha e blerjes së klubit të famshëm londinez nga Roman Abramovich dhe vlen të theksohet fakti se që nga vera e vitit 2003 kur miliarderi rus nisi mbretërimin e tij në krye të bluve asnjë klub tjetër anglez nuk ka arritur të fitojë më shumë se klubi nga jugperëndimi i kryeqytetit të Mbretërisë së Bashkuar.
Mourinho ka drejtuar ekipin në gjysmën e këtyre sukseseve, ndërsa Lampard ka qenë futbollist në 13 nga 16 trofetë e fituar gjatë këtyre 17 vjetëve, duke shënuar më shumë gola se çdo lojtar tjetër i bluve gjatë epokës Abramovich, periudhë kohe kur vetëm qendërmbrojtësi John Terry ka zhvilluar më shumë ndeshje se Frankie me fanellën e Chelsea-t. Pra Abramovich, Mourinho dhe Lampard janë tre persona pa të cilët do të ishte e pamundur që të shkruhej historia aktuale e bluve, sidoqoftë 57-vjeçari nga Setubali, i cili vite më parë premtonte se nuk do të drejtonte kurrë Tottenham-in, tani po përpiqet me të gjitha forcat për të hyrë thellë në folklorin e klubit dhe zemrat e tifozëve të Spurs.
Pasi i dhuroi Chelsea-t në vitin 2004 titullin e parë pas gjysmë shekulli, thellë në mendjen e tij Jose Mourinho synon t’i kthejë lavdinë “gjelave” në kompeticionin elitar të klubeve në ishull pas një periudhe akoma më të gjatë “thatësire”, që zgjat prej plot gjashtë dekadash, më saktë që nga sezoni 1960-61, kur Tottenham Hotspur me trajnerin e famshëm Bill Nicholson fitoi si kupën ashtu edhe kampionatin. Problemet e mëdha që kanë kampionët në fuqi me dëmtimet e shumta si dhe starti më i dobët i Manchester City-t gjatë dekadës së fundit, në mënyrë të kuptueshme kanë shtuar ëndrrat e fansave të shumtë të këtyre dy klubeve për të fituar titullin dhe në fakt me formën aktuale Chelsea dhe Tottenhami e meritojnë për të qenë aty, në krye të tabelës së klasifikimit.
Për momentin “gjelat” numërojnë dy pikë më shumë se blutë në renditje, sidoqoftë këto dy skuadra krenohen gjithashtu edhe me golaverazhin më të mirë në këtë fillim kampionati, pra +12. Fitoret ndaj dy klubeve të Manchester-it kanë rritur ndjeshëm moralin e skuadrës, për më tepër triumfi ndaj “sky blues” i garantoi Tottenham-it qëndrimin për më tepër se një javë në krye të klasifikimit të përgjithshëm, pra e thënë ndryshe gjatë kësaj kohe duke i grumbulluar të gjitha ditët Spurs kanë udhëhequr Premier League-n më shumë ditë, nga ç’kanë bërë në të vërtetë gjelat në 10 sezonet e fundit të mbledhur bashkë.
Kishte plot 35 vjet që Tottenhami nuk kryesonte kampionatin anglez pas 9 javëve të para, periudhë që përfaqëson pak a shumë çerekun e këtij aktiviteti, sidoqoftë kjo mbetet një periudhë tepër e vështirë që pritet të tregojë akoma më qartë forcën e vërtetë të “spurs”, sepse sikur të mos mjaftonin ndeshjet me Manchester City-n dhe Chelsea-n ekipi i Jose Mourinho-s do të masë forcat me radhë prej këtej e deri në periudhën e Krishtlindjes në Premier League me kundërshtarë të tillë si Arsenal, Crystal Palace, Liverpool, Leicester City dhe Wolverhampton.
Tifozët e klubit janë zbutur ndjeshëm me Mourinho-n, e duke parë edhe ecurinë pozitive të klubit në këto tre muaj kanë filluar të ëndërrojnë për trofeun e parë të klubit pas një mungese 13-vjeçare. Kalendari në horizont është i frikshëm, ndërsa bilanci i “gjelave” me Chelsea-n brenda në “Stamford Bridge” mbetet vërtet i tmerrshëm, gjithsesi një sukses i mundshëm në jugperëndim të kryeqytetit do të ishte akoma më domethënëse se sa triumfi me “citizens” dhe do të fiksonte edhe startin më të mirë për Spurs në historinë e klubit në Premiership.
Natyrisht miqtë kanë rast për t’u ndjerë optimistë, sepse me 4 fitoret e arritura dhe 100{325c0558aa0dac5542d270f1cd1849548c3fb8b6e9dbaf5e864ef21ba4ba6679} të pikëve Tottenhami i sivjetshëm përfaqëson ekipin më të mirë të kampionatit anglez jashtë fushe. Nëse do të vazhdohet në këtë rrugë edhe në derbin me Chelsea-n atëherë “spurs” do të bëheshin ekipi i pestë në historinë e Premier League-s me 5 fitore në 5 sfidat e para, ecuri që është regjistruar vetëm një herë në gjithë historinë e klubit, por në një epokë tjetër, pikërisht gjashtë dekada më parë, në edicionin e titullit, kur skuadra dominoi sezonin duke e filluar kampionatin me 11 fitore dhe mori maksimumin e pikëve në plot 22 nga 25 ndeshjet e para.
Chelsea ka fituar 6 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet, ndërsa Tottenhami numëron 5 të tilla. Të dy klubet janë përforcuar ndjeshëm gjatë verës, megjithëse për hir të së vërtetës blutë kanë shpenzuar shumë më tepër, plot 222 milionë stërlina, për rrjedhojë rezultatet duken më së miri edhe te mbrojtjet respektive, që janë më të mirat e kampionatit. Kështu senegalezi Edouard Mendy ka ulur në stol portierin më të shtrenjtë në planet, spanjollin Kepa Arrizabalaga dhe 28-vjecari ka kyçur portën në 7 nga 10 ndeshjet e tij në të gjithë aktivitetet.
Te “gjelat” do të mungojë qendërmbrojtësi belb Toby Alderweireld, ndërsa dyshja Lo Celso – Lamela vazhdon të ketë probleme fizike, ndërkohë në krahun tjetër Frankie i ka të gjithë në dispozicion. “Spurs” kanë fituar vetëm 1 herë të vetme në 34 vizitat e fundit në “Stamford Bridge”, gjatë këtyre tre dekadave, duke evituar pësimin e golave vetëm në 1 nga 17 përballjet e fundit në jugperëndim. Jose Mourinho nga ana e tij nuk ka fituar asnjë nga 5 sfidat e fundit në këtë stadium, që pas triumfit me Interin në Champions. Derbi londinez Chelsea – Tottenham do të zhvillohet në orën 17:30 pra në “Stamford Bridge” dhe do të drejtohet nga kryesori Paul Tierney.
Ndërkohë në mbrëmje, në ekranin e Supersport do të vijë edhe sfida tjetër londineze, ajo mes Arsenalit dhe Wolvesit. Të besuarit e Mikel Artetës kanë fituar vetëm një nga 5 ndeshjet e fundit dhe kanë zbritur ndjeshëm në renditje, ndaj janë të dënuar të fitojnë mbrëmjen e sotme, për të rikuperuar terren, pasi aktualisht pozicionohen në vendin e 14. /SS/