Bayer Leverkusen triumfon me rezultatin e pastër 1-4 në transfertën ndaj Augsburgut dhe ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 7 pikë të grumbulluara pas tre javëve të para të kampionatit gjerman.
“Aspirinat” ishin me shumë fat në transfertën në “WWK Arena”, sepse pas 14 minutash lojë, e panë veten në avantazh të dyfishtë pa shënuar asnjë gol, pasi vendasit dërguan dy herë topin në portën e tyre, me Iago dhe Neiderlechner.
Pikërisht sulmuesi 30-vjeçar gjerman rihapi takimin në minutën e 30’, duke shënuar golin e vetëm për Augsburgun, që provoi të rikthejë baraspeshën por nuk ia doli, pasi miqtë nga Leverkusen shënuan edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë me anë të Patrick Schick dhe Wirtz, duke vulosur suksesin.
Gjen fitoren e dytë sezonale edhe Kolni, që triumfoi me shifrat 2-1 në shtëpi ndaj Bochumit, në një sfidë ku të tre golat u shënuan në 10 minutat e fundit, me Schaub e Lemperle për vendasit e më pas Zoller për miqtë.
Bind edhe Mainzi, që këtë herë mori një fitore me rezultatin e pastër 3-0 ndaj skuadrës së sapo ngjitur në Bundesligë, Greuther Furth. Lucoqui dhe Szalai zgjidhën gjithçka brenda 18 minutave të para, ndërsa më pas Stoger vulosi rezultatin me golin e tretë në minutat shtesë.
Zhgënjen në shtëpi Stuttgarti, që u mposht me rezultatin 2-3 nga Freiburg. Koreano-jugori Yeoung ishte protagonist me dy gola të shpejtë për Freiburgun, që në minutën e 28’ e pa veten në avantazh të trefishtë pas golit të Holer.
Stuttgarti provoi të reagojë dhe e bëri këtë mjaft mirë në minutat e mbetura të pjesës së parë, pasi shënoi dy herë me anë të Mavropanos dhe El Ghadioui, megjithatë në pjesën e dytë rezultati mbeti i pandryshuar dhe Freiburgu u largua me tre pikë nga kjo transfertë.
Ish sulmuesi i Milanit, norvegjezi Hauge vijon të bëjë mirë te Eintrachti i Frankfurtit, pasi shënoi golin e avantazhit për të tijtë në transfertën ndaj Arminias së Bielefeldit, megjithatë sfida përfundoi në barazim 1-1.
Një start aspak i mirë i kampionatit për skuadrën nga Frankfurt, që pas tre javëve të para ka marrë vetëm dy pikë, ndërsa Arminia konfirmon se do të luftojë për mbijetesë, pasi mori barazimin e tretë radhazi.