Me 8 fitore radhazi, Liverpool ka rikuperuar ndjeshëm distancën nga Manchester City kryesues dhe është rikthyer plotësisht në garën për titullin kampion të Premier League, pasi tashmë ka vetëm 4 pikë më pak se “citizens”.
Megjithatë “the reds” do të luajnë mbrëmjen e sotme sfidën e prapambetur ndaj Arsenalit në Londër, ku do të kërkojnë një tjetër sukses, që dot’i afronte edhe më shumë me kreun, pasi do të ngushtonin distancën në vetëm një pikë.
Supersfida e kampionatit anglez do të vijë në ekranin e SuperSport 2, duke nisur nga ora 21:15, teksa vlen të theksohet se edhe Arsenali po kalon një moment mjaft të mirë dhe do të synojë fitoren, për të blinduar pozitat në zonën Champions.
Krahas Arsenal-Liverpool, në SuperSport 3 do të transmetohet edhe përballja Brighton-Tottenham, një sfidë mjaft e rëndësishme për “Spurs”-at e Antonio Contes, që kanë shumë pak shpresa për një vend në zonën Champions, por do të synojnë fitoren për të siguruar një vend në Europa League.
Më herët, në orën 18:30 vëmendja do të jetë në Bundesligë, aty ku Borussia Dortmund do të provojë të marrë tre pikët në sfidën e prapambetur ndaj Mainzit, në mënyrë që të shkurtojë në 4 pikë distancën nga Bayerni kryesues dhe të rihapë garën për titullin kampion.