Liverpooli dhe Bayerni i Munihut janë kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Derisa Bayerni ka kaluar me lehtësi tutje në garën elitare, duke e mundur skuadrën austriake, RB Salzburg, me rezultat 7:1, Liverpooli është kualifikuar në mesin e tetë skuadrave më të mira evropiane edhe pse sonte ka pësuar humbje. Në fakt, skuadra e Jurgen Klopp është mposhtur para tifozëve të vet në ndeshjen e kthimit nga Interi, me shifrat 1:0, por ka kaluar tutje falë fitores së arritur në Milano, me rezultat 2:0.
Bayerni është treguar i pamëshirshëm në “Allianz Arena” ndaj RB Salzburgut, ku tre gola i ka shënuar Roberto Lewandowski (12’, 21’, 23’), dy gola Thomas Muller (54’, 83’) dhe nga një gol Gnabry (31’) dhe Leroy Sane (86’), teksa golin e nderi për skuadrën e Salzburgut e shënoi Kjaergaard (70’). Kësisoj Bayerni kaloi në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 8:2. Ndërkaq, përballja anglezo-italiane në “Anfield” ka qenë e zjarrtë, ku Interi shënoi fitore, por në fund festa ishte e tifozëve të Liverpoolit. Golin e vetëm në këtë ndeshje e realizoi Lautaro Martinez, në minutën e 62-të pas asistimit të Alexis Sanchez. Mirëpo, ky i fundit vetëm pak minuta më vonë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak në fushë dhe duke ia bërë të pamundur përmbysjen e rezultatit të ndeshjes së parë.