Janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 15-të në Superligë. Skuadra kryesuese, Ballkani ka realizuar fitoren e tretë radhazi dhe të 11-tën në këtë edicion, duke e ruajtur epërsinë prej 5 pikësh me skuadrën e dytë në renditje, Dritën.
Skuadra e Ismet Munishit, e ka mundur skuadrën e promovuar në elitë, Arbërinë, në Suharekë, me rezultat 2:1. Golat për Ballkanin i shënuan Blend Baftiu, në minutën e 8-të dhe Mirlind Daku, në minutën e 35-të. Ndërkaq, golin e vetëm për skuadrën e Arbnor Morinës e realizoi Kreshnik Bahtiri, në minutën e 45-të. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, fitores iu gëzua skuadra mysafire. Në fakt, Llapi i Tahir Batatinës i dha fund serisë së rezultateve negative, duke shënuar fitore në duel me Drenicën, 1:0. Deri te kjo fitore Llapi ka arritur me golin e shënuar nga Arbnor Ramadani, në minutën e 89-të.