Biznesmeni që u nderua sot nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka qenë i përfshirë në një skandal në vitin 2020.
Themeluesi i kolegjit privat UBT, Edmond Hajrizi për ta fituar licencën e laboratorit të tij nga Ministra e Shëndetësisë për kryerjen e teste tët Covid-19 kishte mashtruar shtetin duke deklaruar se i plotëson kushtet për të filluar punën. Por, edhe tri javë pas licencimit, ky laborator nuk kishte filluar kryerjen e testeve, pasi nuk i plotësonte kriteret për të bërë teste me metodën PCR, siç kishte kërkuar MSh-ja.
Më 10 gusht 2020, Ministria e Shëndetësisë kishte licencuar 29 laboratorë privatë për të kryer teste për Covid-19 duke përfshirë testimet serologjike dhe ato me sistemin PCR.
Në mesin e tyre, ishin edhe dy laboratorë privat të cilët do të kryenin teste molekulare me metodën PCR, për të dyshuarit me Covid-19.
Laboratorët e licencuar kanë qenë Medical&Laboratory Services në Prishtinë dhe laboratori UBT në Lipjan, në pronësi të Edmond Hajrizit, pronarit dhe rektorit të Kolegjit UBT.
Mirëpo, edhe pas tri jave të licencimit, ky laborator nuk ka filluar kryerjen e testeve. Kjo për faktin, se nuk i plotëson kriteret për të bërë teste me metodën PCR, siç ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë.
Në deklaratën nën betim ky laborator ka thënë se e kanë infrastrukturën e nevojshme për të kryer testime. Por gjatë inspektimit nga Inspektorati Shëndetësor, është konfirmuar se ky laborator nuk i plotëson kushtet për të kryer testime.
Me këtë themeluesi dhe rektori i kolegjit privat UBT, Edmond Hajrizi ka mashtruar shtetin, derisa ka shkelur deklaratën nën betim të nënshkruar me rastin e aplikimit.
Kjo, gjë është konfirmuar edhe nga vet Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme përmes një komunikate për media.
“MSh ka informacione që ka dallime të çmimeve sa u përket shërbimeve të testimeve serologjike (prej 15-30 euro) varësisht prej institucionit ku kryhet dhe komunës, përderisa për momentin teste molekulare (PCR) ofron njëri nga dy institucionet e licencuara, për shkak se njëri prej tyre, gjatë inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor nuk ka arritur të dëshmojë se mund të kryej teste në përputhje me të dhënat e deklaruara në formularin e aplikimit për licencim dhe në përputhje me Deklaratën nën betim, të nënshkruar me rastin e aplikimit”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Shëndetësisë pezullon vendimin ndaj “UBT-së”, për lejimin e testeve PCR
Ministria e Shëndetësisë kishte pranuar që ky laborator nuk ka arritur të dëshmojë se mund të kryej teste me metodën PCR, pas inspektimit që i ka bërë Inspektorati Shëndetësor.
Gazeta Insjaderi kishte kërkuar përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë se cilat janë masat që do t’i ndërmerr ky dikaster ndaj laboratorit “UBT”, dhe se cilat janë mangësitë që i ka gjetur Inspektorati Shëndetësor gjatë inspektimit.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë konfirmuar se ia kanë pezulluar vendimin për licencimin e laboratorit “UBT” për kryerjen e testeve me metodën PCR.
“Për shkak së laboratori në fjalë me rastin e inspektimit nga Inspektorati Shëndetësor nuk i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme (për testim molekular PCR) dhe stafin që mund të kryejë teste molekulare PCR, sikur i ka deklaruar në aplikacionin për licencim të shërbimit, të njëjtit i është pezulluar vendimi për lejimin e kryerjes së këtyre testeve”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Gazetën Insajderi.
Por, kanë thënë se nëse laboratori “UBT”, arrin t’i sigurojë pajisjet dhe stafin e nevojshëm atëherë vendimi për licencimin e tij mund të rishqyrtohet.
“Nëse i njëjti arrin t’i sigurojë ato, Bordi për Licencim të Institucioneve private Shëndetësore mund ta rishqyrtojë vendimin. Përndryshe, nuk ka asnjë pengesë që çdo institucion që mund të kryejë këtë shërbim sipas bazës ligjore në fuqi, të licencohet”, thuhet më tutje në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me biznesmeni Edmod Hajrizi, drejtuesin e Kolegjin “UBT”. Ky i fundit ka qenë anëtar i Bordit në Telekom kur ka nisur themelimi i Z-Mobile, proces ky që më pas ishte kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Aliu me UBT-në ka edhe një lidhje tjetër, ai merr pagë nga UBT, si ligjërues, qysh nga viti 2017, fakt ky që e vërteton edhe deklarimi i pasurisë së vitit 2021.