Nga Qendra Klinike Universitarë e Kosovës (QKUK), ka folur mjekja kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe , e cila ka treguar për gjendjen e policit të plagosur në Skënderaj. Ajo ka thënë se gjendja e policit të plagosur është stabile, dhe se ende është duke u trajtuar në Klinikën Ortopedisë në Prishtinë
Në mëngjesin e hershëm të 3 korikut, dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të plagosur nga një gjuajtje me armë zjarri. Në këtë rast, dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe ish-nënkryetari i Skenderajt dhe ish-deputeti Nuredin Lushtaku.
Ndërsa gjatë ditës, Nurendin Lushtaku ka qenë në stacionin e policisë, por pasi është marrë në pyetje është liruar. Këtë për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar avokati i ish-gjeneralit Lushtaku, Artan Qerkini. Ai ka thënë se Nuredin Lushtaku është liruar në mungesë të dyshimeve të arsyeshme.
“E kam vizituar zotin Lushtaku, ai është liruar me procedurë të rregullt, meqenëse nuk ekziston ndonjë dyshim i arsyeshëm që ai ka përdorur armë gjatë incidentit në fjalë”, ka thënë ai, gjersa ka theksuar se policia do t’i zhvillojë hetimet.
Policët, të cilët ishin plagosur nga të shtënat më armë zjarri kishin kërkuar trajtim mjekësor në qendrën emergjente të QKUK-së. Ndërsa njëri nga ta, është duke vazhduar trajtohet në Klinikën Ortopedike.
Mjekja kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe, ka folur për gjendja e policit të plagosur në këmbë, ku ka thënë se gjendja e tij, është stabile dhe është duke e marrë trajtimin e nevojshëm.
Tutje, ajo ka treguar edhe kohën se kur janë sjellë policët e plagosur në QKUK.
“Polici ka arritur është pranuar në ora 3:28 domethënë në mëngjes, gjendja e tij është stabile, analizat janë në normë, sa i përket lëndimit, ka pësuar lëndim në shputën e majtë, domethënë është një plagë tejshpuese me armë zjarri, është trajtuar, është vendosur imobilizimi me gips, është dhënë terapia e cila jepet për këtë gjendje, antibiotikë, mbrojtje antitetanike, analgjetikë, për momentin gjendja e tij është stabile dhe nuk ka ndonjë pengesë”, ka sqaruar Binqe për RTK-në.