Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e parë (TM1 2022).
Sipas ASK-së në tremujorin e parë të vitit 2022, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 15.33 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 25.62 për qind.
Sipas publikimeve të ASK-së, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 17.72%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Të dhënat e prezantuara në këtë publikim përfshijnë të dhëna për indeksin prej muajit janar deri në mars të vitit 2022 (2015=100) që mbulon periudhën 2015-2022. Për të bërë krahasime dhe për te vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e parë(TM1) të viteve 2015-2022 me vitin bazik 2015,( 2015 =100).
Në këtë publikim janë grumbulluar çmimet e prodhimeve vendore bujqësore në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është bërë në: treg, ferma dhe vendet të tjera.
Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e parë të vitit 2022 indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për (15.33%) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për (25,62%) në tremujorin e parë të vitit 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Indeksi total i prodhimeve bujqësore ka rritje për (17,72%) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Indeksi tremujor i çmimeve të prodhimeve bujqësoreTM1 2015-2022 (2015=100)

Tab. 2: Indeksi mujor i çmimeve të prodhimeve bujqësore, janar-mars 2022 (2015=100)

Tab. 1: Çmimet mesatare mujore për disa prodhime bujqësore janar- mars 2022
Çmimet janë grumbulluar nga nëntori i vitit 2003 dhe janë grumbulluar në shtatë regjione: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. Çmimet janë grumbulluar çdo muaj rreth datës 15. Që nga fillimi numri i artikujve për të cilët janë grumbulluar çmimet është rritur hap pas hapi. Disa çmime nuk janë në dispozicion për tërë periudhën. Çmimet grumbullohen për 71 prodhime dhe maten çmimet të cilat i marrin fermerët për pjesën e prodhimeve të tyre që janë shitur. Peshat për kalkulimin e indekseve janë kryesisht të bazuara në Llogaritjet Ekonomike në Bujqësi të vitit 2015, që është vit bazë për indekset (2015=100). Duhet theksuar se peshat, në vlerë ose promil, reflektojnë vetëm pjesën e prodhimeve bujqësore në Kosovë që janë shitur jashtë ekonomive familjare bujqësore. Për disa prodhime vlera e prodhimit total mund të jetë shumë më e lartë se sa reflektohet në pesha.