Hong-Kongu deri 2 vite më parë ishte një nga kryeqendrat e turizmit botëror. Por politikat “COVID zero” të drejtuesve të ish-kolonisë britanike e kanë shndërruar atë në një destinacion pothuajse të pamundur për t’u vizituar.
Ato pak persona që kanë domosdoshmëri për të shkuar, duhet të paguajnë nga xhepi i tyre 3 javë karantinë në hotel, praktikisht një “mur” i pakalueshëm për çdo udhëtarë.
Por të njëjtat masa ekzistojnë edhe për vetë banorët e qytetit-shtet, tashmë pjesërisht i kontrolluar nga Pekini, duke i izoluar pothuajse totalisht nga bota.
Për këtë arsye, dhe për të shmangur falimentimin, disa kompani kroçierash kanë ideuar paketat për lundrime dy ose tri-ditore, plot luks dhe aktivitete, por që nuk të çojnë praktikisht asgjëkundi. Anije të mëdha në fakt nuk kalojnë ujërat territoriale, duke bërë një xhiro rreth Hong-Kongut.
Nuk mungonin personat e interesuar për këtë iniciativë, që së paku krijon një iluzion normaliteti, por gjithsesi, të paktën ditët e para, personat e stafit që kontrollonin temperaturat dhe tamponët ishin më të shumtë se vetë pasagjerët.
