Një konflikt familjar që ndodhi dje në fshatin Barilevë të Prishtinës, për pak sa nuk përfundoi tragjikisht. Dhunë, të shtëna me armë, e sulm me mjete të forta ndodhën për pak minuta në një familje, ku i dyshuar është një 45-vjeçar i cili u kap me mikun e tij, vëllain e bashkëshortes.
Sinjali ka mësuar detaje se si u shkrep arma brenda hapësirave të shtëpisë, duke u rrezikuar gjithë familja.
Burimet brenda Prokurorisë thonë për Sinjalin se rasti ndodhi për shkak të dhunës që kishte ushtruar i dyshuari ndaj bashkëshortes së tij, ku më pas kishte ndërhyrë vëllai i saj.
Gjatë debatit të viktimës me të dyshuarin, ky i fundit për një moment ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ia ka drejtuar mikut të tij. Për të mos eskaluar situata, motra e të dyshuarit kishte arritur që ta shtyjë vëllain e saj, me ç’rast ai shkrepi një plumb, që përfundoi në derën e dhomës.
Kjo situatë mjaft e rrezikshme, që mund të kishte pasoja në njerëz, terrorizoi gjithë familjen, të cilët arritën ta largojnë nga shtëpia djalin e tyre.
Me të dalë në oborr, i dyshuari iu vërsul sërish mikut të tij, por këtë herë me një sëpatë, me të cilën i shkaktoi dëme veturës së viktimës.
Policia arriti në vendin e ngjarjes posa mori informacionin, ku u sekuestrua arma dhe municioni që iu gjet të dyshuarit dhe i njëjti u shoqërua në stacion policor.
Ndaj tij, Prokuroria ka nisur hetimet për tri vepra penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.