Mërgim Vojvoda ka nisur sezonin e tretë me Torinon teksa mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës shkëlqen me paraqitjet e tij në Itali duke u shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të “Granatave”.
27-vjeçari ka fituar besimin e plotë të trajnerit Ivan Juric dhe është shndërruar në një nga titullarët e padiskuteshëm të skuadrës teksa Vojvoda ishte vendimtar në triumfin e fundit të Torinos ndaj Leçes me rezultatin 1-0.
Ishte pikërisht lojtari shqiptar që dhuroi asistin duke regjistruar asistin e dytë në tre ndeshje të luajtura gjatë këtij sezoni në elitën italiane. Tashmë, Vojvoda hedh vështrimin nga ndeshja e radhës që është ajo me Interin në Milano. Mbrojtësi thekson se nuk i druhet sfidës dhe se do të luajnë për të marrë maksimumin.
“Jam shumë i lumtur për fitoren ndaj Laçe, kam qenë i padisponueshëm për tre javë gjatë përgatitjeve të sezonit, megjithatë tashmë po punoj shumë dhe fizikisht ndihem mirë. Këtë sezon kam shumë objektiva dhe dua të rritem edhe më shumë. A më shqetëson përballja me Inter? Nuk ka arsye pse të më shqetësojnë përballja me ta, ne jemi të karikuar dhe në Milano do të shkojmë për të fituar”, u shpreh Vojvoda.