Askush aktualisht nuk e di se a ka kryesi dega e PDK në Drenas, apo vetëm një grup i njerëzve që ia bëjnë qejfin Ramiz Lladrovcit dhe ata praktikisht janë edhe kryesi dhe mblidhen vetëm atëherë kur u kërkon kryetari i Drenasit. Madje ky i fundit i jep vetes të drejtë t’u bëjë thirrje qytetarëve të mos ua japin voten kandidatëve të Skenderajt, shkruan vision-mega.
Shihet tashmë qartë, se Ramiz Lladrovci nuk mund ta durojë praninë e Sami Lushtakut nëpër fshatra të kësaj komune, ndonëse ai është duke bërë fushatë për PDK-në dhe për të gjithë kandidatët e PDK-së, sepse është numri dy i Partisë Demokratike, menjëherë pas Enver Hoxhaj.
Ai është duke bërë fushat derë me derë nëpër fshatra të Skenderajt e të Drenasit, e besa edhe në Prishtinë (lagjja e Muhaxherëve, lagjja Mati, Kalabria), gjithnjë bashkë me kandidate për deputetë të PDK-së të Prishtinës, Drenasit e të Skenderajt. Kjo me gjasë e ka prekur kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka kërkuar nga qyterët e kësaj pjese të Drenicës që asnjë të mos e jepin voten për kandidatët e Skenderaj. Lladrovci, i cili është vetëshpallur kandidat për kryetar të Drenasit edhe për një mandat, thonë se nuk ia var fare qendrës, derisa kryetari i degës, Sejdi Hoxha, thërret kryesinë me ata njerëz që i “mban në dorë” Ramiz Lladrovci dhe vetëm atëherë kur t’i thotë ky fundit.
Si të shpjegohet ndryshe fakti se në asnjë tubim elektoral të numrit dy të partisë, Sejdi Hoxha të mos merr pjesë. Jo vetëm ai, por as Ferat Shala, njeri me shumë autoritet dhe me zë jo vetëm në Drenicë, por edhe në pjesë të tjera të vendit. Ky i fundit, Sejdi Hoxha, Azem Syla, e Labinot Halilaj, nxituan t’ia uronin Ramiz Lladrovcit vetëshpalljen e kandidatures edhe për një mandate në krye të Drenas.
Ramiz Lladrovci ishte përpjekur që ta bëjë vetë listen e kandidatëve për deputetë të komunës së Drenasit, por kishte dështuar, pasi që i preferuari i tij, Labinot Halilaj, i cili kishte filluar të ndërtojë pa leje në Skenderaj u hoq nga lista, por edhe ndonjë tjetër. Kandidatët e PDK-së nga komuna e Drenasit tani kanë mbetur siç thonë sikurse ‘zogjtë e qyqes”, as me qendër as me degë, sepse kryesi të degës në Drenas pothuajse nuk ka hiq dhe fushatën e bën secili për vete. Ka edhe të tillë që i frikohen Ramiz Lladrovcit dhe ndonëse ‘iu kushton zemra’ nuk shkojnë në tubimet e numrit 2 të PDK-së.
“Ju ftoj të jeni syçelë se kujt po ia jepni votën. Mikpritje secilit dhe premtim secilit, për ata që po premtojnë gjithçka për Drenasin, ndërsa më 14 Shkurt, votën më meritorëve që komuna e Drenasit të jetë prioritet i atyre që zgjedhën. Pavarësisht se kush i ka propozuar, apo për kë “punojnë” kandidatët e PDK-së në Drenas, duhet të çmohen. Ua kam tërhequr vëmendjen edhe më herët publikisht me fjalën e urtë për pulën që ha grurin në Drenas, mikpritje secilit dhe premtim secilit, për ata që po premtojnë gjithçka për Drenasin, ndërsa më 14 Shkurt, votën më meritorëve që komuna e Drenasit të jetë prioritet i atyre që zgjedhën. Pavarësisht se kush i ka propozuar, apo për kë “punojnë” kandidatët e PDK-së në Drenas, duhet të çmohen. Ua kam tërhequr vëmendjen edhe më herët publikisht me fjalën e urtë për pulën që ha grurin në Drenas…”, ka thenë mes tjerash Lladrovci.
Në anën tjetër, Sejdi Hoxha nuk është parë fare në ndonjë tubim, përveç në fillim me Ferat Shalën. Ky i fundit e ka lavdëruar tej mase kryetarin e degës së PDK në Drenas, nëpërmes të një postimi në rrjetin social facebook.
“Po e nis sot ditën me kryetarin e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, z. Sejdi Hoxha. Drenasi qëndron sypatrembur, si një nga kalatë e pamposhtura të PDK-së. Dega e Drenasit çdo herë i ka dhënë frymë dhe karakter partisë së lirisë, së pavarësisë dhe shtetndërtimit. E, ndërkaq, një Dege të madhe të një Partie të madhe, i duhet një personalitet i suksesshëm, me elan dhe vrull rinor, si kryetari, Sejdi Hoxha. Drenasi, ashtu si krejt Drenica, kurrë nuk njeh zmbrapsje – njeh vetëm fitore! PDK-ja i duhet Drenasit dhe Drenicës, ashtu siç Drenasi dhe Drenica i duhen PDK-së”, ka shkruar Ferat Shala.
E ndërkaq para pak kohësh, në mbledhje të kryesisë së degës së PDK në Drenas, në të cilën merrte pjesë edhe kryetari në detyrë i PDK, Enver Hoxhaj, pothuajse të gjithë anëtarët e kryesisë kërkuan që Ramiz Lladrovci të largohet nga komuna, ta përfundojë këtë mandat dhe mos të kthehet më. Ka pasur të tillë që e kanë sharë dhe kanë fyer Ramiz Lladrovcin, madje ia kanë përmendur njëri-tjetrit edhe grate, por as Lladrovci nuk u ka mbetur borgj me sharje dhe fyerje. Në momentin që Hoxhaj tha se është amanet i Kadri Veselit që Lladrovci të vazhdojë në kye të Drenasit kanë shpërthyer anëtarët e kryesisë, të pakënaqur tej mase. Por, të gjithë ata që kanë kundërshtuar nuk janë pare më në mbledhdjet e kryesisë së PDK-së. Janë ftuar vetëm ata që i vihen pas Ramiz Lladrovcit, para së gjithash, kryetari i degës, të cilin siç thonë në Drenas, “Ramiz Lladrovci e ka pru dhe tani nuk ka çare pa ba çka t’i thotë ai”. Kjo situate, sa komike, aq edhe tragjike për PDK-në do të ketë pasoja të rënda. Ka mundësi që për here të parë pas 22 vjetësh, komunën e Drenasit të mos e drejtojë PDK-ja.
Ndryshe, zgjedhjet lokale nuk janë larg e më këtë përçarje kaq të madhe, Drenasi rrezikohet të mbetët pa PDK-në, vetëm me një grup njerëzish. Anëtarësia e ka hetuar dhe tani nuk është fort larg mendsh që Vetëvendosje ta merr Drenasin.