Lufta në Ukrainë e zgjoi nga gjumi Perëndimin për të vendosur në prioritet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Padyshim që pika kyçe në këtë rajon është dialogu Kosovë-Serbi, andaj edhe vendet më të fuqishme ndezën motorët dhe po emërojnë emisar për të dhënë një zgjidhje përfundimtare në këtë proces.
Për njohësin e politikës, Dritro Arifi ky angazhim po tregon se vendet perëndimore nuk kanë unifikim, por të gjitha po kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë.
Në një bisedë me Syri.net Kosova, profesori Arifi ka komentuar emërimet e shumta të emisarëve për Ballkanin Perëndimor, me theks dialogun mes Prishtinës e Beogradit.
“Është e vërtetë se ka kaq shumë emisarë për Ballkanin Perëndimor, por edhe specifikisht për dialogun Kosovë-Serbi, kjo i ka dy kuptime, atë pozitivë edhe atë negativë.
Pozitiv është se vendet perëndimore siç janë SHBA-të, Britania por edhe Bashkimi Evropian e kanë kuptuar rrezikshmërinë sidomos pas luftës në Ukrainë, që edhe në Ballkanin Perëndimor mund të tensionohet situata për shkak të interierferimeve ruse në këtë rajon. Madje mund edhe të komplikohet e gjithë situata e sigurisë në kontinentin e Evropës.
Kurse aspekti negativ është dëshmon që ende nuk e kemi një politik të unifikuar të botës perëndimore karshi raportit Kosovë-Serbi, ende nuk ka qartësi të plotë politike. Pra nuk ka vendimmarrje dhe në këtë mënyrë përmes këtyre të emëruarave po mundohen të kuptojnë ku është problemi dhe ku janë raportet”, shprehet Arifi.
Vizitat e shpeshta e pa paralajmërime të këtyre të dërguarve specialë, Dritro Arifi po i sheh si zgjim nga gjumi i vendeve perëndimore për të ardhur deri të zgjedhja përfundimtare e dialogut.
“Normalisht vizitat e shpeshta po tregon se vendet perëndimore janë zgjuar nga gjumit për të gjetur një zgjidhje për problemin Kosovë-Serbi, vetëm pas një lufte Rusi-Ukrainë. Kjo tash nënkupton që duhet të ngutën që të mos ik Ballkani nga duart.
Duhet të kemi një zgjedhje përfundimtare, por jo gjysmake siç po raportohet në Kosovë e Serbi, sepse ajo nuk e rregullon paqen e qëndrueshme e afatgjate në Ballkanin Perëndimor, por që çdo moment mund të dal nga kontrolli”, vlerëson ai.
Sa emisar për Ballkanin Perëndimor?
Numri i emisarëve specialë për Ballkanin perëndimor, po rritet çdo muaj.
Pas Bashkimit Evropian, SHBA, Gjermanisë, Britanisë së Madhe edhe Sllovenia muajin që lamë pas ka emëruar të dërguarën e vet speciale për Ballkanin Perëndimor.
Kështu të paktën ka bërë të ditur ministrja e jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon.
Kryediplomatja sllovene ka njoftuar emërimin e Anzhej Frangesh si emisar speciale për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë edhe Greqia ka ndjekur rrugën e shteteve të tjera, duke emëruar Sofia Grammanta si të emëruarën speciale për Ballkanin Perëndimor – shkruan Syri Kosova.
Aktualisht, emisar special për Ballkanin Perëndimor ka caktuar Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak, i cili t është ngarkuar si negociatori kryesor për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të kanë sjellë në Europë Gabriel Escobarin, Gjermania caktoi Manuel Sarrazin, ndërsa Britania e Madhe ka të besuar në rajon, Stuart Peach.
E për ta forcuar akoma më shumë prezencën në dialog, Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë më 4 shtator se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.
Ata thanë se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
‘Modeli i dy Gjermanive nuk është ideali’
Sipas analistit Dritro Arifi modeli i shumë proklamuar i dy Gjermanive nuk është zgjedhja e duhur, dhe se nuk ofron garanci për stabilitet rajonal.
“Modeli i dy Gjermanive është model i dështuar, pasi nuk mund të merret i njëjti model për rrethana tërësish tjera, historike e politike. Prandaj është tejet e rëndësishme që të bëhet një zgjidhje e duhur, sepse po shihet që i gjithë fokusi është të ketë një partneritet mes Kosovës e Serbisë, por pa njohje. Kjo ma shumë po aludohet në këtë pikë dhe mendoj që nëse ekziston ky qëndrim i BE-së si fokusi kryesor atëherë duhet të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën, dhe t’i hapet rruga për anëtarësim në BE. Duhet gjithmonë të vendoset se çfarë përfiton Kosova, duhet parë të gjitha modelet e ofruar, po e rithem çdo zgjedhje gjysmake nuk e qetëson Ballkanin Perëndimor”, përfundon profesor Dritro Arifi për Syri Kosovën.
- Çka është modeli i dy Gjermanive?
Traktati Bazë që u nënshkrua më 1972 mes Republikës Federale Gjermane (FRG) dhe Republikës Demokratike të Gjermanisë (GDR), përkatësisht Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, i garantoi ulëse Gjermanisë Lindore në OKB, siguroi njohje reciproke ndërshtetërore, por jo njohje formale të njëra-tjetrës.
Më 2007, Wolfgang Ischinger, ish-diplomati gjerman kishte propozuar idenë e dy Gjermanive për Kosovën dhe Serbinë. Por, ajo ishte refuzua nga Grupi i Unitetit, në kohën kur Ishchinger po përfaqësonte Bashkimin Evropian në negociatat e trojkës në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
E një propozim i tillë ishte riaktualizuar në vitin 2019, kur ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor në një samit në Bruksel. Mediumi prestigjioz gjerman, Deutche Welle, në atë botë pati raportuar duke u thirrur në burimet brenda qeverisë gjermane, se Merkel kishte propozuar që zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në marrëveshjen e vitit 1972 ndërmjet Gjermanisë Perëndimore e asaj Lindore.
Ky model nënkupton se Kosova dhe Serbia nuk do të njohin pavarësinë e njëra-tjetrës, por të dyja palët, sipas marrëveshjes, marrin përsipër themelimin e zyrave ndërlidhëse në selinë e qeverisë/zyrave ndërlidhëse në territorin përkatës.
Në këtë marrëveshje thuhet se asnjëra palë nuk duhet të cënojë integritetin territorial dhe njëkohësisht, marrëdhëniet mes tyre duhet të jenë të bazuara në fqinjësi të mirë, gjithnjë përmes zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura nga ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian.
Aty parashihet që mosmarrëveshjet eventuale të zgjidhen me mjete paqsore, sic parashihet edhe me Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Po ashtu, aty thuhet se, Kosova dhe Serbia duhet të punojnë së bashku në zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe kthimin e personave të zhvendosur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas këtij modeli, parashihet edhe demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pra për vendosjen e pikave të reja kufitare.
Respektimi dhe garantimi i të drejtave të minoriteteve në të dyja vendet mbetet kusht i arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme. Arsimi, kultura, feja, besimet fetare dhe gjuha e bashkësive minoritare do të gëzojnë trajtim të veçantë.
Tutje, siç bënë të ditur teksti i marrëveshjes, Kosova dhe Serbia duhet të mbështesin aspiratat e njëra tjetrës drejt BE-së dhe të harmonizojnë politikat e tyre me standardet e BE-së.
Disa pika të kësaj marrëveshjeje janë parashikuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit. Sipas disa informacioneve, aktualisht është duke u punuar për tekstin e zgjidhjes përfundimtare për problemin e Kosovës dhe e cila do të bazohet në këtë model./syri kosova