Një rast jo fort i zakontë dhe skandaloz ka ndodhur në fshatin Carallukë të Malishevës, ku një burrë është detyruar nga pleqtë e lagjes të paguajë 45 mijë euro në emër të nderit, për shkak të dyshimeve që familja kishte ndaj tij për tradhti. Gazeta Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ky rast tipik që ndodhë në familjet patriarkale, ku nderi është mbi gjithçka, edhe mbi jetën. Për ruajtjen dhe mbrojtjen e nderit njerëzit detyrohen edhe të paguajnë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht para disa ditësh është denoncuar një rast i dhunës në familje, nga një grua, e cila ka raportuar për dhunën që ia ka shkaktuar burri i saj.
Gjatë intervistimit të viktimës, ajo kishte deklaruar se dhuna që ka pësuar ka qenë edhe dyshimi për tradhti ndaj bashkëshortit të saj me një familjar të tij nga fshati Bubavec.
Dyshimi që ishte ngritur ka alarmuar gjithë familjen, për çka u paguan mijëra euro. Sipas burimeve të Sinjalit, viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se familja e burrit e ka dënuar nipin me 45 mijë euro, në emër të rregullimit të raporteve për shkak të prishjes së nderit.
Posa është denoncuar ky rast, Policia është vënë në lëvizje dhe ka intervistuar vjehrrin e viktimës. Në deklaratën e tij për pretendimet e nuses, ai e ka pranuar se pleqtë e lagjes e kanë dënuar personin në fjalë më 45 mijë euro, si dëmshpërblim për kthim të nderit të familjes, me ç’rast ishin pajtuar që shuma e parave të paguhet dy herë radhazi.
Lidhur me rastin, Sinjali po ashtu mëson se është iniciuar rasti “detyrim” me urdhër të prokurorit kujdestar, ndërsa hetimet të vazhdojnë.