Komuna e Skënderajt përmes një njoftimi në rrjetin social facebook bëri të ditur se po fillojnë punën për luftimin e deponive ilegale të mbeturinave, shkruan portali Rajoni.org.
Kjo punë e mirë e Fadil Nurës po kurorëzohet me sukses fillimisht në fshatrat Llaushë, Polac, Kotorr etj.
Ky projekt parasheh shtrirje edhe më të gjerë gradualisht në fshatrat e tjera, për të arritur një ambient sa më të pastër.
Komuna bëri edhe thirrje te qytetarët për ndihmë, sa i përket kësaj çështjeje. Të kontribuojnë të gjithë pa marrë parasysh për një mirëmbajtje sa më të efektshme të ambientit./Rajoni.org/
Postimi i plotë i komunës:
Komuna e Skenderajt, nëpërmjet shërbimeve të saj publike, po angazhohet vazhdimisht në largimin e deponive ilegale.
Kësisoj, në kuadër të përpjekjeve për të zbatuar planin e punës, për një ambient të pastër në gjithë territorin e komunës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, është angazhuar të punojë në largimin e deponive, kudo që janë identifikuar ato.
Një aksion i tillë është ndërmarrë në fshatrat Polac dhe Kotorr, pas të cilave veprimet janë orientuar në Klinë të Epërme, përgjatë vendit të quajtur “Përroi i keq” dhe në Llaushë, ku janë pastruar hapësirat që ishin mbushur me mbeturina, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Alban Shala.
Komuna e Skenderajt fton të gjithë qytetarët, pa dallim, që të kontribuojnë në mirëmbajtje të ambientit, duke mos hedhur mbeturina jashtë hapësirave që nuk janë të dedikuara, dhe njëkohësisht fton për raportim tek organet kompetente, kudo që hasin në rastet e ndotjes së ambientit.