Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar të gjeturat mbi shkeljet që janë bërë në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të udhëhequr nga ministrja Donika Gërvalla.
ZKA ka gjetur shkelje të mëdha në Misionin Diplomatik Konsullor në Berlin sa i përket shpenzimeve të paaprovuara dhe tejkalim të limiteve të lejuara, shkruan lajmi.net.
Në gjetjet e auditorit thuhet se Misioni Diplomatik Konsullor në Berlin kishte raportuar shpenzimet për periudhën qershor – gusht në vlerë prej 141 mijë e 932 euro. Pas analizimit të tyre nga zyrtarët në MPJD, ishte identifikuar se shpenzimet në vlerë prej 37 mijë e 866 euro nuk ishin në përputhje me urdhëresën.
Tejkalimet sipas ZKA-së kishin të bënin me shpenzimet e drekave, përderisa blerja e mobiljeve dhe blerjet tjera që kërkonin aprovim ishin bërë pa aprovim nga Sekretari i Përgjithshëm.
Po ashtu, MDK(Misioni Diplomatik Konsullor) në Berlin në muajin gusht kishte bërë pagesë për biletë të udhëtimit në vlerë prej 285€ për një person nga shoqata ekonomike gjermano-kosovare.
Për këtë shpenzim nuk kishte aprovim nga sekretari.
Ministrja e MPJD-së më datë 21 maj 2021 kishte nxjerr vendimin për lirim nga detyra të shefit të misionit në Berlin, pas marrjes së dekretit nga Presidentja.
Në bazë të vendimit shefi i misionit duhej të kthehej në Kosovë me 30 gusht 2021.
Pas këtij vendimi ishin bërë këto tejkalime të shpenzimeve dhe nuk ishin marrë aprovime paraprake siç kërkohet.
Sipas rekomandimit të Auditorit, Ministrja duhet të themeloj një komision për të analizuar në detaje shpenzimet e ndodhura duke rezultuar me një raport të tyre.
Për shpenzimet të cilat nuk kanë asnjë justifikim dhe nuk ishin aprovuar duhet të ndërmerren veprime për kthimin e mjeteve në buxhetin e Ministrisë.