Paris Saint-Germain nuk po përgatitet të përballet me Real Madridin ashtu siç do të kishte dashur. Skuadra e Mauricio Pochettino pësoi pengesën e fundit të hënën, pasi u eliminua nga Kupa e Francës në penallti kundër Nices dhe tashmë janë ngritur shumë pikëpyetje.
Ata do të presin Real Madridin në mes të shkurtit në raundin e 16-të të Champions League dhe do ta bëjnë këtë pa një Lionel Messi në formë, me Sergio Ramos të lënduar dhe Neymar që nuk është në gjendje. Mbi të gjitha mbi Kylian Mbappe vijojnë të qarkullojnë thashetheme se ai ka rënë dakord të bashkohet me ‘Los Blancos’ në fund të sezonit.
Djemtë e Pochettinos nuk ishin në gjendje të kalonin Nice në ndeshjen për Kupën e Francës, duke realizuar vetëm dy goditje në portë në 90 minuta përpara se të humbnin në penallti. Messi është “një hije” e vetes, siç shkruan ‘Le Parisien’, por performanca e PSG-së në tërësi vazhdon të lërë shumë për të dëshiruar. Pochettino po merr shumë nga faji.
Goditja e fundit e Ramos, dyshime për Neymar
Dëmtimet vazhdojnë të rëndojnë sezonin e Sergio Ramos, i cili dukej se kishte kapërcyer problemet e tij në fillim të sezonit dhe madje shënoi, por pësoi një tjetër pengesë të enjten e kaluar që e largoi atë edhe një here nga fusha e blertë.
Neymar gjithashtu mbetet jashtë, pavarësisht se u rikthye në fushë për herë të parë që nga 24 nëntori, edhe pse vetëm për të bërë pak vrap. Ai synon të luajë kundër Real Madridit, megjithëse Pochettino ka thënë se është shumë herët për të parashikuar nëse braziliani do të jetë gati.
Mbappe dhe hija e Real Madridit
Thashethemet e vazhdueshme rreth të ardhmes së Mbappes nuk ndihmojnë, aq më pak kur ai ka të ngjarë të luajë sezonin e ardhshëm kundër kundërshtarëve të PSG-së në Champions League.
Raportimi i ‘Bild’ të hënën, se një marrëveshje ishte arritur do të kishte bërë që ata në Parc des Princes të vlonin. Familja e lojtarëve mohoi këtë lajm dhe për momentin, PSG po vazhdon të shtyjë Mbappe të rinovojë kontratën e tij në kryeqytetin francez